Porti i Durrësit, rriten eksportet dhe përpunimi i kontejnerëve në pesëmujorin e parë 2026

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Treguesit operativë të pesëmujorit të parë të vitit 2026 tregojnë rritje të aktivitetit portual në Portin e Durrësit, veçanërisht në segmentet e eksporteve dhe të transportit të kontejnerizuar.
Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur se gjatë periudhës janar–maj janë përpunuar gjithsej 1.684.418 tonë mallra, ose 6,78% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në të njëjtën kohë, eksportet kanë arritur në 519.707 tonë, duke shënuar një rritje prej 40% më shumë se vitin e shkuar.
Sipas APD-së, ecuri pozitive ka regjistruar edhe terminali i kontejnerëve, ku janë përpunuar 108.377 TEU, ose 29% më shumë se një vit më parë. Volumi i mallrave të transportuara me kontejnerë ka arritur në 1.055.361 tonë, me një rritje prej 35% në raport me pesëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, në sektorin e trageteve janë përpunuar 193.428 pasagjerë dhe 83.663 mjete, duke reflektuar vazhdimësinë e flukseve të udhëtarëve dhe transportit rrugor ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.
Të dhënat e pesëmujorit të parë të vitit konfirmojnë ecurinë pozitive të aktivitetit portual dhe rëndësinë e Portit të Durrësit në mbështetjen e tregtisë së jashtme dhe të lidhjeve të transportit detar të vendit.
APD theksoi se “gjatë tri javëve të para të muajit qershor, në Terminalin e Kontejnerëve të Portit të Durrësit janë evaduar rreth 6 mijë kontejnerë, ose mesatarisht rreth 300 kontejnerë në ditë”.
Autoriteti Portual Durrës informon se ky volum pune dëshmon ritmin e lartë të aktivitetit në terminal dhe angazhimin e pandërprerë të strukturave operacionale për përpunimin dhe evadimin e mallrave.
“Fluksi më i lartë i kamionëve që konstatohet në fillim të javës lidhet me përqendrimin e tërheqjes së kontejnerëve pas kufizimeve sezonale të qarkullimit të mjeteve të rënda gjatë fundjavës, dhe jo me ndërprerje apo ngadalësim të operacioneve portuale”, tha APD.
1 nga 3/k.s/r.e/a.f/