Rritja e lejeve të ndërtimit, Xhepa: Duhet pasur kujdes me zgjerimin e këtij sektori

Lejet e ndërtimit të dhëna në tremujorin e dytë të vitit, janë rritur me 50.1 për qind, krahasuar me periudhën janar-mars 2023.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, përgjatë muajve prill-qershor 2023 peshën kryesore e mbajnë ndërtimet për banim me 73.6 për qind, ndërsa 15.3 për qind janë ndërtesa të tjera jo rezidente dhe 11.1 për qind punime inxhinierike.
Për ekspertin e ekonomisë Selami Xhepa, ky bum ndërtimit duhet parë më me kujdes në atë çfarë sjell.
“Rritja e jashtëzakonshme në veçanti në qendrat e mëdha urbane nga një anë duket se krijon një treg të madh por, nga ana tjetër përqendrimet tepër të mëdha të popullsisë krijojnë probleme për çështje të infrastrukturës”, tha ai për RTSH.
Për Xhepën, institucionet e hetimit duhet t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe burimeve të financimit të sektorit të ndërtimit.
“Gjithë ky stok i madh ndërtimesh mund të ngrejë shqetësime në të ardhmem për mënyrën e financimit të tij. Efektiviteti i institucioneve të kontrollit dhe monitorimit lë shumë për të dëshiruar dhe kjo është arsyeja që Shqipëria vazhdon të rezultojë në listën gri të Moneyval”, tha ai.
Lejet e ndërtimit në tremujorin e dytë të 2023-shit kryesohen nga qarku i Durrësit me 156 leje, ndjekur nga Tirana, me 138 leje, ndërsa Kukësi rezulton qarku me më pak leje të miratuara.
Gazetare: Amela Koçerri
/RTSH/