E Diel, 1 Nëntor 2026

Porti i Durrësit, volumi i punës rritet mbi 13%

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 19-05-2011 11:15

Afro 200 mijë pasagjerë kanë zgjedhur të udhëtojnë me traget gjatë katër muajve të parë të këtij viti, duke shënuar në këtë mënyrë një rritje prej 13 për qind më shumë se, e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Burime nga Autoriteti Portual i Durrësit kanë bërë të ditur se, për periudhën janar-prill 2011 198 mijë udhëtarë kanë lundruar nga porti i Durrësit drejt porteve të tjera me tragetet e linjës që ekzistojnë më këtë port, shifër kjo që rezulton se ka shënuar rritje prej 13 për qind më shumë se, periudha janar-prill 2010. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se, rritje të kënaqshme ka shënuar edhe transporti i mallrave, ndonëse mjetet e mëdha lundruese kanë kryer 93 lundrime më pak se e njëjta periudhë e vitit 2010. Sipas këtyre burimeve, transporti i mallrave për katërmujorin e parë të vitit 2011 është rritur me 9 për qind, me 248 mijë ton mallra në total, ose 20 mijë tonë më shumë se katërmujori i parë i vitit 2010. Rritja e transportit të mallrave është shënuar nga numri gjithnjë në rritje i kamionëve dhe trajlerave të imbarkuar në mjetet e mëdha lundruese. Më shumë se 22 mijë automjete të tilla kanë transportuar drejt porteve italiane një sasi prej 100 186 ton mallra dhe produkte shqiptare, ndërsa në kthim kanë sjellë 147 530 ton mallra të huaja. Futja në linjat ekzistuese të trageteve të rinj, pas nxjerrjes jashtë përdorimit të trageteve të amortizuar, ka rritur efektivitetin e lëvizjes si dhe shtimin e kapaciteteve për më shumë udhëtarë dhe mallra. Kjo gjë ka zvogëluar edhe numrin e lundrimeve drejt porteve të Barit, Ankonës, Triestes dhe anasjelltas. Burimet e APD-së kanë shtuar se për këtë periudhë të vitit, tragetet kanë sjellë dhe dërguar drejt porteve italiane 133 563 shtetas shqiptarë, shifër kjo që është 26 për qind më e madhe se katërmujori i vitit 2010. Pjesa tjetër prej rreth 65 mijë udhëtarësh janë shtetas të huaj që kanë hyrë në vendin tonë për qëllime të ndryshme. Megjithëse numri i udhëtarëve ka shënuar rritje, bie në su rënia e numrit të autveturave që kanë lundruar me tragete, nga 39 767 që kanë qenë vitin e kaluar, këtë vit kjo shifër është 37 382 autovetura.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›