E Diel, 1 Nëntor 2026

Porti i peshkimit dhe alternativat pezull

Zona industriale në veri të qytetit bregdetar shihet nga specialistët e urbanistikës lokale si një vend më se i përshtatshëm për ndërtimin e portit të ri, po ndërkohë mjedisorët kanë deklaruar se funksionimi i TEC-it në këtë zonë do të shkaktojë dëme të konsiderueshme në mjedisin ujor për shkak të veprimtarisë së tij. Fillimisht pati një ide që porti të ngrihej në kalatën ekzistuese të peshkimit, por problemet që dolën ndër vite dhe zgjerimi i portit e bënë të pamundur këtë. Kalata e peshkimit ndodhet ngjitur me terminalin e trageteve dhe në jo pak raste peshkatoret janë dëmtuar gjatë ankorimit të trageteve. Siguria e peshkatoreve në këtë kalatë ka parametra të ulët me rritjen e volumit të punës dhe të prekjeve të trageteve në terminal. Një tjetër alternativë qe ajo për ndërtimin e portit në pjesën veriperëndimore të qytetit, në zonën e Currilave, rrëzë kodrës, po çelja e universitetit aty i dha tjetër kah zhvillimit. E ndërsa projekti për ndërtimin e portit ka ngelur pezull, sektori i peshkimit kërkon që ngërçi të zgjidhet sa më shpejt dhe të mos rrezikohet projekti që zvarritet prej shumë kohësh dhe ka mbetur peng i përplasjeve në dukje në favor të qytetit, po që më së shumti peshkatarët i vlerësojnë si politika kundërshtimi mes kaheve të ndryshme të politikës aktuale.

Premtimi i Xhuvelit

Në maj të vitit 2007, premtimi i hershëm për ndërtimin e një porti peshkimi në Durrës u bë sërish nga ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të asaj periudhe, Lufter Xhuveli. Ai deklaroi se investimi i Bankës Islamike dhe qeverisë shqiptare do të merrte jetë brenda atij viti

Konsultimi

Leja e sheshit të ndërtimit, miratuar në vitin 2004, ka skaduar prej kohësh dhe Ministria e Mjedisit ka kërkuar një leje të re për sheshin e ndërtimit të tij. Vendi i parashikuar nga kjo ministri për ndërtimin e portit është vlerësuar si i papërshtatshëm nga administrata bashkiake, e cila ka organizuar një diskutim të gjerë publik për të vjelë dhe opinionin e qytetarëve, specialistëve dhe të grupeve të interesit në lidhje me projektin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›