E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Portokallia", rikthim me surpriza dhe humor

Këto ditë kanë qenë të zhurmshme në studiot e "Portokallisë". I vetmi program humoristik është gati të nisë rrugëtimin. "Portokalli" rikthehet çdo të diel në mbrëmje për publikun shqiptar në ekranin e "Top Channel". Me të tjera risi, me gjetje artistike, personazhe e mesazhe që do të përcillen natyrshëm përmes të qeshurës, vjen ky sezon i ri që starton mbrëmjen e sotme. Tashmë ky spektakël ka fituar një status. Prej disa vitesh tashmë, ky prodhim i "Top Channel" vazhdon të eksperimentojë formatin televiziv të humorit, duke tentuar që çdo sezon të vijë me gjetje të reja që e sjellin më afër publikut. "Portokallia" vjen e freskët dhe plot energji, sepse e tillë është atmosfera e krijuar prej stafit drejtues, aktorëve dhe mbështetësve të këtij realizimi të përjavshëm. Përveç materialit letrar që çdo javë ndryshon, "Portokallia" sivjet vjen me një imazh të ndryshuar nga pikëpamja e skenografisë, bashkangjitur kjo edhe me personazhe të reja që janë krijuar nga trupa tashmë e mirënjohur e këtij spektakli, bashkangjitur me personazhe të reja që provohen për herë të parë", shprehet regjisori Altin Basha. Që në serinë e parë do të zbulohen pak e nga pak disa të reja të këtij sezoni. E meqenëse "Portokalli" vazhdimisht ka qëmtuar në karaktere specifike të shoqërisë tonë, për t‘i ngjitur më pas në skenë me gjuhën e një humori të hollë, disa personazhe të reja do t‘i prezantohen publikut në këtë sezon që do të fillojë. "Nga audicionet ne kemi përzgjedhur 5 aktorë të rinj, me të cilët publiku do të njihet që në serinë e parë të "Portokallisë". Janë personazhe që sjellin tematika të reja deri më tani të paprekura në spektaklin tonë, edukimi i fëmijëve nëpër çerdhe apo kopshte apo situata të reja që politika na i sugjeron. Këto personazhe e pasurojnë nga pikëpamja artistike "Portokallinë", shpërfaqin talentin e tyre dhe do t‘i shtojnë sharm spektaklit", thekson regjisori Basha, i cili gjendet vazhdimisht mes aktorëve për t‘u kujdesur për detajet e fundit. Personazhet e reja marrin edhe një fytyrë të re në këtë spektakël të madh të humorit. E meqenëse gjatë këtyre viteve "Portokalli" ka qenë një derë e hapur për talentet e reja, audicionet kanë sjellë emra që vijnë kryesisht nga Akademia e Arteve. Por nuk do të mungojnë rikthimet. Disa personazhe të serive të shkuara, të suksesshëm, të dashur e të duartrokitur nga publiku, nuk do t‘i mungojnë skenës. Polici, Fredi e Elsa, ‘Vandam Sula" e disa të tjerë do të vazhdojnë të dhurojnë të qeshura. Ndërkohë që edhe aktorë të njohur të "Portokallisë", përveç personazheve që kanë interpretuar më parë, do të shfaqen përgjatë këtij sezoni edhe me karaktere të reja. Skenografia e Fatmir Mingës me elementë që plotësojnë më së miri këtë ansambël humori, vjen gjithashtu e ripërtërirë me kujdes, ndërsa kostumografia do të jetë e Iliriana Bashës. Dimensioni social do të jetë dominues në këtë sezon të ri. Problemet e përditshme që shqetësojnë shoqërinë tonë, fenomene apo edhe karaktere që i hasim vazhdimisht, janë ushqimi për atë që ngjitet në skenën e "Portokallisë" nga dy skenaristët Vangjel Kozma dhe Jani Duro. Skenaristi Vangjel Kozma pohon se "kemi shtuar tiparet sociale në "Portokalli", jemi munduar që të jenë sa më të prekshme dhe besoj se kemi arritur të realizojmë diçka. Të ndërthurur me forma të reja, personazhe dhe aktorë të rinj, besojmë se e qeshura nuk do të mungojë për publikun shqiptar". Në vazhdim, ngjarjet e aktualitetit, tema apo debate të ditës do të gjejnë pasqyrimin e tyre përmes një qasje humoristike deri edhe në ironike. Pritet të mos mungojnë as aspektet politike, një dimension gjithnjë i pranishëm në sezonet e "Portokallisë". Ky spektakël, i munguar gjatë muajve të verës, ka tashmë një pritshmëri të garantuar te publiku. Nuk kanë qenë të paktë kuriozët që kanë dashur të dinë se kur do t‘i shohin sërish në skenë aktorët e "Portokallisë". Ky është viti i gjashtë dhe sezoni i dymbëdhjetë që ky spektakël transmetohet. "Ka qenë një rrugëtim i pamenduar, i nisur me pretendime shumë modeste dhe i rritur gradualisht me dashurinë e publikut, gjë që besoj do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë. Kemi kaluar një eksperiencë të vështirë, me papritura të mëdha, i hymë një rruge të re, të mbështetur shumë fuqishëm nga televizioni "Top Channel" dhe në vazhdim zbuluam se dashuria e shqiptarëve për humorin është jashtëzakonisht e madhe. Për këtë arsye gjatë gjithë kësaj kohe jemi përpjekur që humorin në "Portokalli" ta bëjmë humor të gjithë shqiptarëve. Pasioni dhe puna e një grupi njerëzish të dashuruar me profesionin e tyre ka sjellë këtë rezultat, por pa dyshim edhe mbështetja e publikut. Ne ndihemi borxhli për kaq vite sa kemi punuar interesit të tij dhe presionit pozitiv që publiku na bën vazhdimisht për ta rritur cilësinë e ‘Portokallisë‘, për ta pasur gjithmonë të freskët dhe për të surprizuar në vazhdim". Ndërsa gjatë gjithë kohës së verës, i gjithë grupi i punës ka qenë në një proces krijues. "Këto katër muaj shkëputje, që për të gjithë stafin ka qenë punë krijuese, kanë krijuar drithin e nevojshëm për të mbajtur këtë mulli të humorit përgjatë gjithë sezonit me të qeshura të hareshme. Jam i bindur se shqiptarët do të gjejnë një pjesë të jetës së vet në skenën e "Portokallisë" ku personazhet e reja e ato të mëparshmet, ndërthurja mes tyre, orkestrës, baletit dhe të gjithë komponentëve të spektaklit, do të sjellë një mozaik të bukur humori", shprehet aktori dhe moderatori Agron Llakaj. Edhe këtë vit, në krah të tij do të jetë Amarda Toska si prezantuese. Nga sot, çdo të diel "Portokalli" vjen në çdo shtëpi përmes ekranit të "Top Channel", ndërsa ata që duan ta ndjekin live, çdo të premte dhe të shtunë në ambientet e ish-Ekspozitës "Shqipëria e re".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›