E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjergj Bojaxhi jep dorëheqjen nga KESH

Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi, deklaroi dje se ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbajti gjatë dy viteve të fundit, duke e konsideruar misionin e tij si të "përmbushur" dhe duke shpallur se i kishte plotësuar objektivat që Kryeministri Sali Berisha i pati ngarkuar.
"Gjatë këtyre viteve ka qenë një sfidë kombëtare. Më shumë se dy vjet më parë, Kryeministri Berisha më ngarkoi me mision për të zgjidhur këtë sfidë nëpërmjet tre objektivave kryesore: 24 orë drita, mirëmenaxhim; privatizim. Të gjitha objektivat u përmbushën dhe unë e konsideroj misionin tim në KESH të kryer", tha dje ai.
Dy ditë më parë, Ministri i ri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti shkarkoi Këshillin Mbikëqyrës të KESH për shkak të abuzimeve në shoqëri të evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ndërkohë ka emëruar menjëherë Këshillin e ri të drejtuar nga Pjetër Dema. KLSH ka konstatuar shumë shkelje dhe abuzime me ligjin dhe fondet publike në KESH dhe ka kërkuar masa të rrepta për KM dhe drejtues të Kesh-it.
Bojaxhi, i cili ka studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Filozofi dhe zotëron një master në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti John Hopkins, u emërua drejtor i KESH-it në kulm të krizës energjetike, në mars të vitit 2007. Më parë pati punuar si zëvendësministër i Ekonomisë. Paraardhësi i tij, Andi Beli, u largua nga jeta publike pas shkarkimit si drejtor i KESH.
Gjatë 30 muajve të fundit, KESH arriti të furnizojë vendin me energji elektrike në mënyrë të rregullt, por kostoja financiare e këtij operacioni vlerësohet si e paimagjinueshme. KESH u detyrua të shpenzojë rreth 180 milionë euro për importin e energjisë elektrike në vitin 2007 dhe rreth 200 milionë të tjera në vitin 2008. Kur e mori postin e drejtuesit të korporatës më të rëndësishme në Shqipëri, z. Bojaxhi shpalli plane ambicioze jo vetëm për zgjidhjen e problemeve afatshkurtra të krizës energjetike, por edhe për zhvillimin afatgjatë. Fillimisht propozoi si zgjidhje ndërtimin me urgjencë në Durrës të një termocentrali prej 100 MË, i cili mund të mbulonte 20-30 për qind të deficitit energjetik të vendit. Pak më vonë, propozoi se Shqipëria mund të investonte për ndërtimin e një termocentrali të përmasave të ngjashme në Kosovë, për të shfrytëzuar rezervat e atjeshme të qymyrit. Por në fund, asgjë e tillë nuk ndodhi.
Në objektivat afatshkurtra, KESH arriti të furnizojë pa ndërprerje ose me ndërprerje të vogla të gjithë vendin, ndërsa kreu ndarjen e degës së shpërndarjes dhe asaj të transmetimit në qershor të vitit 2008. Furnizimi i rregullt me energji dhe importet e stërmëdha me çmime të larta, sollën edhe vështirësi të vazhdueshme financiare të korporatës, si dhe rritje të humbjeve të energjisë.
Bojaxhi kandidoi për deputet në listën e Partisë Demokratike për Tiranën në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, por emri i tij u vendos shumë poshtë shanseve për t‘u zgjedhur si deputet. Gjatë kohës së drejtimit të tij, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nuk e publikoi asnjëherë bilancin e saj vjetor. Ministria e Financave shleu në shumë raste faturat e papaguara të kësaj korporate nën pronësi publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›