E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raportet e KLD-së: Ja ndryshimet në gjyqësor

Reforma në sistemin gjyqësor, e propozuar nga KLD-ja dhe e miratuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të realizohet mbi bazën e dy kontrolleve të fundit në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit. Problemet e hasura në këto gjykata do të pasqyrohen në reformën e ndërmarrë kohët e fundit, ku parashikohet që të "konsumohen" të gjitha problemet, që nga analiza e të gjitha çështjeve problematike e deri te solemniteti në seancat gjyqësore. Burime nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë thanë se lëvizjet e para të gjyqtarëve kanë filluar në vendet ku po publikohen vendet vakante në Gjykatat e Apelit në të gjithë vendin. Pas plotësimit të këtyre vendeve do të fillojnë lëvizjet e gjyqtarëve në Gjykatat e Shkallës së Parë.

Raporti

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shqyrtuar raportet dhe rekomandimet e përgatitura nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në përfundim të inspektimit tematik me objekt "Kontrollin e veprimtarisë së kryetarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apelit", është konkluduar se duhen takime e ballafaqime periodike të KLD-së me kryetarët e gjykatave. "Gjatë kontrollit janë evidentuar shumë probleme në funksionimin e disa gjykatave, si zvarritja e proceseve gjyqësore, problemet me masat e sigurisë etj., etj. Për të gjitha këto probleme është kërkuar zhvillimi i takimeve periodike të Këshillit me kryetarët e gjykatave duke trajtuar në mënyrë sistematike, problematikat e konstatuara gjatë ushtrimit të veprimtarisë së gjykatave", thanë burimet nga KLD-ja, ndërsa është vendosur që po ky institucion i rëndësishëm i drejtësisë, t‘u drejtohet kryetarëve të gjykatave për dokumentimin e të gjitha vendimeve të marra. "Këshilli, ka vendosur t‘u drejtohet me shkresë gjithë gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apeleve, në mënyrë që kryetarët e tyre, të sensibilizohen në drejtim të zbatimit të detyrimeve ligjore të përcaktuara në nenin 18, të ligjit nr.9877, datë 18.02.2008, "Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë". Kryetarët e gjykatave duhet të kujdesen për dokumentimin e të gjitha vendimeve të marra për miratimin e kërkesave të gjyqtarëve për dorëheqje nga gjykimi dhe përpilimin e tyre në formë të shkruar e të arsyetuar duke iu referuar dispozitave përkatëse procedurale penale e civile", thanë burimet e KLD-së.

Problemet

Sipas KLD-së, kontrolli i ushtruar në gjykata, ka evidentuar një sërë problemesh, që nga hedhja e shortit e deri te vlerësimi i masave të arrestit. Në bazë të këtyre kontrolleve do të hartohen lëvizjet e gjyqtarëve, ndërsa KLD-ja thotë se u kërkon kryetarëve të gjykatave që duhet të mbikëqyrin respektimin e disiplinës në punë, të solemnitetit të gjykimit dhe të respektimit të etikës nga trupa gjyqësore. Gjithashtu, kërkohet që të ketë një planifikim të gjyqtarëve që shqyrtojnë kërkesat e prokurorisë për vleftësim arresti a ndalimi dhe për caktim mase sigurimi, çdo muaj, e sipas rendit alfabetik me bazë mbiemrin. Një tjetër kërkesë e KLD-së që u drejtohet kryetarëve të gjykatave është edhe rekrutimi i punonjësve të administratës gjyqësore sipas kritereve ligjore dhe meritave personale. "Nga Këshilli, është marrë vendim, t‘i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë dhe nëpërmjet saj, ekzekutivit e Kuvendit të Shqipërisë, për vazhdimin e nismës ligjore për hartimin e ligjit "Për funksionimin dhe organizimin e administratës gjyqësore", me qëllim unifikimin e procedurave administrative në gjykata dhe përcaktimin e rolit dhe të përgjegjësive të të gjitha subjekteve të administrimit gjyqësor", thanë burimet nga KLD-ja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›