Portreti 3: Qejfet
Historia e vezirit të tmerrshëm. Nga "Historia e ringjalljes së Greqisë", shqip prej A. Klosit
Ethet e luanit dhe ëndjet e zotërisë
Nga Libri I, kapitulli i tretë
Si ra Janina nën thundrën e Aliut, zakonet e rrepta të vendit erdhën e u këmbyen nga një shthurje e paparë.
Satrapi, i braktisur prej Eminesë, të cilën e kishte degdisur në thellësi të pallatit (diçka që ndodh shpesh me gratë e kurorës që s'kanë më pjesë në asgjë pos në rropatjet shtëpiake), satrapi e mbushi haremin e vet me një luzmë hanëmesh që i kishte zgjedhur si ia donte ënda; dhe pikërisht ai që mburrej se s'kish njohur tjatër femër për një kohë të gjatë veç gruas së vet u lëshua në vorbullën e epsheve.
Nuk kam dashur tjetër veç Eminesë, e kam dëgjuar të thotë shumë herë, por Janina më mori në qafë, shtonte dhe zgurdullonte sytë e ndezur irnimi. Qejfet e thjeshta i hapnin përditë oreksin për qejfe edhe më të mëdha dhe kështu nga çorodia në çorodi dukej sikur po rrokullisej në një orgji të vetme pa fre.
Dilte natën nëpër qytet, tebdil si bakall, dhe binte në krahët e atyre krijesave që kurvërimi i bën të pështira, po prapë jo aq të pështira sa ganecët, që damkën e tyre e përdorin për të fryrë xhepin, sepse në Turqi strofulla të tilla turpi gjenden nën mbrojtjen e policisë dhe agjentëve të saj. E diktuan një ditë nën vello disa gra greke që po ndihnin në shërbesë fetare, e qysh atë ditë çdo shtëpi u kthye në një burg seksi...
Bijtë e tiranit hapën edhe ata vetë, duke shkelur në gjurmët e babait, shtëpi shkandullirash; festat që shtronin aty ishin thjesht ziafete e ruspihane, dhe i gjithë qyteti, i mësuar në kohën kur anarkia mbretëronte brenda mureve të tij vetëm me trokëllimat e armëve, tani jehonte nga këngët e ciganëve dhe nga gërvëret e qemoneve të tyre.
Myftari kishte namin e kryesarhoshit; do ta kishte zbrazur edhe vetë kupën e Herkulit - sepse e kam dëgjuar me veshët e mi kur lëvdohej se pat pirë dikur një kacek të tërin me verë, si ishte dëndur njëherë mirë e mirë me të ngrëna dhe të pira të tjera.
Le që nuk mbaronte këtu ngjashmëria me heroin maqedonas, pasi një herë, në një nga orgjitë e tij, kishte vrarë edhe seliktarin e vet, që e kishte mik vegjëlie dhe shok të ngushtë.
Kurse Veliu, të cilit i kishin përkthyer librat më lapërdharë të Europës, udhëhiqej në jetë vetëm nga këshillat e një greku, njëfarë Qirikosi, i cili e kishte për mburrje të tregonte si kishte provuar të kryente atë incestin që i pat nxirë derën Edipit fatkeq, ia kishte arritur bile, pa i rezistuar shumë ajo që i pat bërë kokën.
Edhe më mizor se tigri, Veliut i këndej shumë ta trazonte dhimbjen me epshin, t'i gjakoste me kafshime buzët e femrës që përdhoste e t'i shqyente me thonj trajtat që sapo kishte ledhatuar; ende mund të shikoje në kohën time një nga viktimat e afshit të tij, së cilës, pas një përqafimi të zjarrtë, i kishte këputur veshët: Katerinë veshprera, këtë llagap i kishin vënë asaj femre.
Shkanduj si këta dukej sikur paralajmonin tatëpjetën e shpejtë të racës tepelenase; por fundin e tyre, siç do ta shohim më vonë, e kishte llogaritur mirë Aliu, që kishte si qëllim kryesor shthurjen e një popullsie të tërë, duke ngjitur pas pjesës tjetër të epiriotëve, pasi i ndante nga zakonet e tyre, janiniotët, ata banorë që, ç'është e vërteta historike, e kanë mbajtur shtratin martesor dhe vatrën familjare të dlirë qysh nga koha kur sorkadhet kaoniane preheshin në krah të bashkëshortëve të vrazhdë që për ushqim të vetëm kishin lendet e lisave nga malet e tyre.
Nga Libri II, kapitulli IV
...Ia kapërthejnë shpirtin tmerret e ferrit sidomos kur është i sëmurë; i përhihen në kokë Eumenidet, sheh në ëndërr se si ngrihet mbi kryet e tij dora e një Zoti shpagues. Shan e mallkon veten, nxjerr ca rënkime të gjata nga kraharori; thërret mjekët që t'i vijnë pranë, i quan ata vëllezër, u lutet ta shpëtojnë, u premton se do t'i ngarkojë me të mira. Liron të burgosur, kërkon të falen për të dervishë, po aq edhe të priftërinj.
At i shenjtë, i tha një ditë mes këtyre krizave Gabrielit, kryepeshkopit të devotë të Janinës, at i lartë, kam parë në ëndërr virgjëreshën e Kosovicës, e ajo më dha urdhër ta ngrë sërish kishën që të lanj fyerjen e rëndë që u kam bërë kallogjerëve të saj; jam gati t'ia përmbush vollën, po si ta çvendos shëmbëlltyrën e saj?"
- Kryepeshkopi iu përgjigj se do të shkonte ai vetë në manastir, do ta merrte që aty shëmbëlltyrën çudibërëse dhe do ta çonte në tempullin e vet, sapo që të rindërtohej. - O derëziu ti, krimatozmene, bërtiti, ka për të të bërë pluhur e hi, se ishte një llahtarë e po kanosej si mos o Zot..."
Urdhëroi që ta kthejnë menjëherë atë që u kishin marrë kallogjerëve, iu përgjërua Gabrielit që të lutej fshehurazi për të që t'ia arrinte faljes së mëkateve. Mirëpo, sapo që bëhej më mirë dhe i fashitej lemeria, s'vononte t'i padiste mjekët për paaftësi, sepse kështu kursente shpërblimin për ta.
Sa i pafe aq dhe mosmirënjohës, i hidhte përsëri në hekura fatzinjtë që kishte çliruar; dhe me ca pak të holla mendonte se i kishte shpërblyer lutjet në të mirë të shëndetit të vet.
Sëmundjet e satrapit, ashtu si dhe gjumi, megjithë përdhosjet që i shoqërojnë, kanë të mirat e tyre, pasi për sa kohë zgjasin, populli dhe gjithë të shtypurit mund të marrin njëçikë frymë. Por temperamenti i tij pëson, veç këtyre rasteve, edhe një krizë që riprodhohet në kohë të caktuara.
Ashtu sikundër mund të kuptohen shkundullimat e nëndheshme nga disa shenja ogurzeza, po ashtu llokoçitja e zemëratës gulçonjëse të tij mund t'i diktohet nga një si ngjyrim i errët i mendimeve.
Tërhiqet atëherë brenda kthinave të veta dhe si mjerë ai që shkon t'i flasë për çështje pune. Këto çaste, kur shpërthejnë ethet e luanit, vijnë zakonisht në çerekun e fundit të hënëzimeve, kur afrohet stina e shirave ose kur ka fryrë disa ditë me radhë era ligështuese e shirokës.
Mileti hamend që tani do të pllakosin të zeza. Gratë, djemtë, agjentët i qasen tiranit duke u dridhur kokë e këmbë; pyesin njëherë nëse ka fjetur, nëse merr frymë mirë; dhe të gjithë përgjojnë çastin kur mërzitia i dyfishohet, sepse këtu kuptohet që kulmi u kapërcye.
Atëherë ai thërret shortarët e vet, i pyet, u tregon ëndërrat që ka parë, dhe, si dëgjon ngushëllimet që i japin me përgjigjet e tyre, i kthehet sërisht qetësia në shpirt. Përqafon me et përgjigjet që i falin zullumet e pushtetit të tij, i thith me ngazëllim të tjera që i premtojnë një jetë të gjatë, sepse mendimi i vdekjes është për të vetëm tmerr.
Fillon atëherë sërish rrjedhën e potershme të ëndjeve dhe punëve; pallati ushëtin nga këngët e ciganëve dhe kërcimet e akrobatëve; varret kanë mbyllur rrasat; ekzekutimet kanë ndalur; ai është rishfaqur në skenë me qejfe dhe ahengje. Pa ruajtur asnjë etiketë, pa zgjedhur asfare, zbret nga shkallët e madhështisë së tij në shkallaret më vulgare të shoqërisë.
Fton vetveten te sofra e kryepeshkopit, i cili gjatë gjithë darkës duhet të rrijë në këmbë, te bejlerët që duhet t'i shërbejnë më gjunjë; në shtëpi të primatëve grekë, të cilët i quan skllevër.
Nuk e përçmon as gostinë e çifutëve, atë të kundraxhiut të vet, të rrobaqepësit e të kujtdo zanatçiu tjetër, sepse pas këtyre gostave ka edhe peshqeshe (Dhuratat e zakonit në të tilla raste janë dy-tri palë mbathje dhe po kaq këmisha.
Por në qoftë se Lartësia e Tij shkon me mirësinë e vet deri aty sa të rruhet në shtëpinë e ndonjërit, ky favor kaq i përpjetë meriton si dhuratë ibrikë dhe një takëm të tërë kafeje në serm, pa harruar edhe bakshishin për berberin, i cili në oborrin e satrapit, ashtu si dhe në atë të sulltanit, është një personazh shumë i rëndësishëm.).
Nuk mungon në asnjë nga dasmat e shërbëtorëve të vet, të spiunëve dhe të shatërve, që i marton vetë duke u dhënë plaçkë nga trashëgimitë e veta të panumërta.
Porse as nderi që u ka bërë, as të