E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogët e Vlorës: Jo studentë me mesatare nën 6

VLORË - "Tolerimit" të rektorit të universitetit të Vlorës për studentët me mesatare nën 6 i është kundërvënë një grup pedagogësh nga stafi pedagogjik.


Ata e kanë konsideruar "shkelje të rëndë të autonomisë së Universitetit dhe nëpërkëmbje të autoritetit dhe dinjitetit të Senatit të UV-së" vendimin për regjistrimin e këtyre studentëve. Pedagogët kanë deklaruar se nuk do të bëjnë asnjë kompromis me Ministrinë e Arsimit për regjistrimin e studentëve me mesatare nën 6, duke vijuar t'i qëndrojnë vendimit të marrë nga senati i këtij universiteti në maj të vitit 2008.


Rektori Shaska në deklaratën e tij është shprehur se regjistrimi i studentëve do të realizohet në përputhje me kërkesën e MASH-it, ndërsa hyrja në fuqi e mesatares do të realizohet në vitin në vijim. Por një gjë e tillë nuk është mbështetur nga pedagogët, të cilët e kanë cilësuar këtë ndërhyrje në autonominë e universiteteve.


Çështja e studentëve me mesatare nën 6 nisi që ditën kur këta të fundit u shpallën fitues nga MASH-i, ndërkohë që universiteti i Vlorës kishte marrë vendimin se ata që mbaronin gjimnazin me mesatare më të ulët nuk do të mund të regjistroheshin në këtë institucion.


Universiteti i Gjirokastrës nis masterat e nivelit të dytë


GJIROKASTËR- Për herë të parë në historinë 40-vjeçare të tij, në universitetin "Eqrem Çabej" të qytetit të Gjirokastrës do të nisë cikli i dytë i studimeve në nivelin master për profilin arkeologji e administrim të pasurive arkeologjike.


Bashkëpunimi disavjeçar ndërmjet këtij institucioni dhe Universitetit të Maceratës (Itali) është konkretizuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, që vendosi fillimin e këtij niveli studimesh.


Drejtues të Universitetit të Gjirokastrës e cilësojnë këtë vendim si një hap tejet të rëndësishëm në ngritjen e nivelit pedagogjik të institucionit më të rëndësishëm të arsimit në rajonin jugor.


Studentët që do të jenë pjesë e tij në fund të dy viteve do të pajisen me diploma që do të mbajnë firmat e rektoratit të universitetit "Eqrem Çabej" dhe atij të Maceratës e që do të jenë të vlefshme për punësim jo vetëm në Shqipëri e Itali, por në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. "Ky cikël studimesh i nivelit të dytë vjen si frut i një bashkëpunimi disavjeçar me universitetin e Maceratës dhe është hera e parë që do të aplikohet në universitetin tonë.


Përveç nivelit të lartë të studimeve që garantohet nga stafi i përzgjedhur i pedagogëve shqiptarë e italianë, por edhe nga mjaft ekspertë të monumenteve e arkeologjisë, do t'iu japë mundësi studentëve të kenë një diplomë të barazvlefshme me atë të studentëve europianë", shprehet prof. Bektash Mema, pedagog në departamentin Histori- Gjeografi e njëri prej bashkëhartuesve të këtij projekti.


Ndërkaq, janë përcaktuar tashmë edhe kriteret e pranimit të studentëve që do të vijojnë këtë cikël studimesh dhe ajo çka vlerësohet si një tjetër risi është fakti që mund të bëhen pjesë e këtij niveli edhe studentë që kanë përfunduar nivelin e parë në universitete të tjera brenda apo jashtë Shqipërisë dhe drejtues të universitetit pretendojnë se do të ketë konkurrencë në këtë drejtim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›