E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portugali-Shqipëri të mërkurën. Shqipëria, me shumë dëmtime

Nga Altin Latifi
Kombëtarja shqiptare do të udhëtojë drejt Portugalisë me disa futbollistë të dëmtuar. Pas Salihit, probleme në ndeshjen me Hungarinë kanë patur edhe Vangjeli e Hyka, rekuperimi i të cilëve duket mjaft i vështirë. Ndeshja Portugali-Shqipëri do të luhet të mërkurën në Bragë. 

TIRANE- Pas humbjes 2-0 me Hungarisë, kombëtares shqiptare i duhet të përballet me një seri dëmtimesh. Në prag të sfidës me Portugalinë ditën e mërkurë, disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës janë në dyshim, duke e bërë akoma më të vështirë gjendjen. Problemi kryesor lidhet me Jahmir Hykën dhe Kristi Vangjelin, të cilët dolën para kohe në ndeshjen e luajtur në Budapest. Sidomos mungesa e fantazistit është një problem më shumë për Han, duke qenë se shpresonte shumë tek shpejtësia e Hykës. Ndërsa një mungesë e mundshme e Vangjelit, do të bëjë që në krahun i majtë të përshtatet një futbollist tjetër, që do të ketë detyrën të mbulokë as më shumë e as më pak, Kristiano Ronaldon. Ndërkohë, asnjë problem për Lorik Canën që do të jetë rregullisht në fushë në mesjavë. Ndërsa Armend Dallku nuk do të mund të luajë për arsye kartonash dhe futbollisti do të largohet drejt Ukrainës. Në vend të tij, pritet që tekniku Han të aktivizojë nga minuta e parë Andi Lilën. Stafi kuqezi kërkon të rekuperojë medoemos edhe Salihin, për të patur më shumë alternativa në sulm. Në krahun tjetër, Portugalia vjen me uri të madhe në këtë ndeshje, sidomos pas barazimit 0-0 me Suedinë në Stokholm. Skuadra e Karlos Keiroz kërkon tre pikët me çdo kusht, pasi nuk mund t’i lejojë më vetes gabime. Kombëtarja kuqezi do të zhvendoset të hënën drejt Portugalisë, ndërsa ndeshja do të luhet të mërkurën në orën 21.45 me orën shqiptare. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›