Portugali, dy ditë zie për nder të shkrimtarit Jose Saramago
Autoritetet e larta portugeze kanë vendosur dy ditë zie kombëtare në nderim të një prej figurave më të mëdha të kulturës së këtij vendi, siç ishte dhe do të mbetet i pashuari, shkrimtari Jose Saramago. Saramago u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare pas problemeve të shumta me shëndetin e tij të lodhur nga sëmundjet. Letrari i madh iberik, fitues i çmimit Nobel për Letërsinë në kohën kur dha frymën e fundit ditën e premte ishte në shtëpinë e tij në ishullin spanjoll të Lanzarotes. Eshtrat e të madhit Saramago u sollën nga Spanja për në Lisbonë me një avion të posaçëm shtetëror. Së bashku me trupin e shkrimtarit të famshëm të shekullit të XX në avion ishte edhe e veja e tij dhe disa familjarë të autorit portugez.
Saramago arriti që të fitojë çmimin prestigjoz Nobel në Letërsi në vitin 1998. Saramagoja do të kujtohet për gjithmonë për shpirtin e tij rebel dhe për përplasjet e shumta jo vetëm me autoritete e larta qeverisëse në Portugali por edhe me drejtuesit e lartë të kishës katolike portugeze. Saramago, një pjesëtar i partisë komuniste portugeze në shumë raste do të sulmonte ashpër kishën vendase katolike si një vend i cili grumbullonte përversë dhe biblën ai e pati përkufizuar me frazën e famshme "një libër mëkatarësh". Përplasjet e shpeshta të Saramagos me qeverinë portugeze i ulën shumë reputacionin e tij në vendin e tij, aq sa mund të thuhet se Jose Saramago duhej dhe lexohej më shumë nga lexuesit jashtë vendlindjes së tij.