Portugalia në zi: Kjo ndeshje qe shkatërrim
Portugezët janë një popull që historik isht janë të lidhur me trishtimin. Një gjendje që më shumë është e përhapur në sport. Mjafton të shohësh reagimet e shtypit ndaj ekipit kombëtar pas barazimit me Shqipërinë për të kuptuar kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. "Afrika e Jugut gjithnjë e më larg", "Ndeshja më e keqe e 30 viteve të fundit", "Poshtërim", "Shkatërrim", "Turp", janë disa prej titujve që zinin dje faqet e para në mediat luzitane. Të gjitha të përditshmet, sidomos ato sportive janë hapur me tituj zhgënjyes dhe me sulme që nuk kanë kursyer as futbollistët e as trajnerin Karlos Keiroz. Titulli më domethënës ka qenë i "O Jogos", e cila në faqen e parë shkruan me të madhe: "Turp!". Ndërsa "A Bola" hapet me foton e paraardhësit të Keiroz, Luis Felipe Skolari dhe me titullin e madh: "Pra, unë jam një gomar?", që është si një përgjigje e brazilianit në adresë të kritikave që Keiroz pati lëshuar në të shkuarën. Ish-ndihmësi i Ferguson e kritikonte shpesh Skolarin kur drejtonte portugezët. "Nuk ishte një 0-0, por një poshtë zeros. Në shtëpi, me lojtarin më të mirë në botë në fushë dhe për më shumë, 11 kundër 10 për shumicën e kohës", shkruan "A Bola". Ndërsa "Rekord" shkon në deri në dëshpërim: "Jemi sëmurur nga ky film", titullon me të madhe ajo. "Pas humbjes me Portugalinë dhe barazimit me Suedinë, ndeshja ndaj Shqipërisë ishte e pamendueshme. Kemi komplikuar shumë shanset për kualifikim në Botëror. Tani është e paevitueshme bërja e llogaritjeve", shkruan më tej gazeta. Ndërsa Diario de Noticias kritikon edhe futbollistët. "Pa ide dhe shpirt luftarak, Portugalia zbriti dje poshtë në histori për arsye më të këqija", shkruan ajo. "Keiroz poshtë zeros", është titulli i "Correio de Manha". "Publiko" flet për një performancë horror në Bragë. "Pa vizion, pa dëshirë, pa aftësi. Nuk është shenjë e mirë kur ne duartrokitëm për daljen jashtë të një kundërshtari në pjesën e parë", shkruan kjo e përditshme. Portugalia barazoi 0-0 me Shqipërinë të mërkurën në mbrëmje ne Bragë, duke mbetur në vendin e tretë, me vetëm 5 pikë pas katër ndeshjesh, po aq sa edhe kombëtarja kuqezi. Gazetat nënvizojnë edhe faktin se sjellja e drejtuesve, teknikëve dhe lojtarëve, ka qenë jashtë normave. Presidenti i Federatës Xhilberto Madail braktisi stadiumin 10 minuta para përfundimit, ndërsa Keiroz për të evituar kritikat, iu shmang konferencës së zakonshme për shtyp. Disa prej futbollistëve kanë bërë gjeste në adresë të publikut, që ishte duke manifestuar pakënaqësinë e tij.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)