Veprat e panjohura të Sadik Kacelit
Krijimet do të prezantohen në një ekspozitë.Janë 47 vepra, të hershme dhe të viteve të fundit të jetës, në pjesën më të madhe të paekspozuara më parë. Ndërkohë, studiuesja Eli Xoxa ofron një tjetër lexim të Kacelit piktor.
Një vazo me lule, vizatuar me dëshirën dhe naivitetin e fëmijërisë, është gjurma e parë e artit të tij. Atëkohë Sadik Kaceli nuk e dinte rrugën që e priste. E ndoshta as që në dejet e tij rridhte gjak piktori. Një tjetër vizatim daton herët. Në vitet '29-30 Kaceli krijon bariun me fyell. Këto ditë janë nxjerrë nga arkivi i familjes. Bashkë me shumë punë të tjera, grafika, akuarele, realizime me penel monokrom, do të jenë pjesë e një ekspozite që do të çelet të hënën, datë 20 tetor, në Galerinë Kombëtare të Arteve. Janë 47 vepra të realizuara në kohë të ndryshme. Gati një udhëtim kronologjik në frymëzimet e Kacelit, prej fillimit deri në ditët kur e braktisi penelin. Ato janë një "rrëfim" i ngritur mbi ngjyra, silueta, portrete, nudo të kohës së shkollës, të viteve si student, të viteve të pasluftës. Prej vitesh kanë qëndruar të heshtura në fondin e familjes. Larg syrit të publikut, ato janë një monolog artistik në cepin ku ruhen. Përzgjedhjen e tyre e ka bërë i biri Buroni, i cili ka trashëguar pasionin e pikturës, por edhe gjithë veprën e tij. "Zgjodha ato vepra që mund të krijojnë te publiku një përshtypje të gjithë artit të tij. Është një udhëtim kronologjik që nga punët e para deri në vitin 2000, kur edhe u nda nga jeta", - shprehet Buroni. Një pjesë e mirë e tyre janë të panjohura. Vepra të hershme, apo edhe ato që krijoi kohët e fundit. Ekspozita më e fundit ka qenë ajo e vitit 1971, në Pallatin e Kulturës. Gjithçka që krijoi më pas ishte e destinuar të bënte ciklin e komunikimit me atë vet apo pjesëtarët e familjes. Mbrëmjen e së hënës, Sadik Kaceli nuk do të vijë vetëm përmes veprave të tij. Studiuesja Eli Xoxa ofron një njohje përmes fjalëve. Përmes një monografie të plotë, një botim i kuruar në detaje, ajo prezanton piktorin në dimensionin e tij të plotë. Kaceli në rrënjët e tij, fëmijë, nxënës, student e pastaj piktor. Por edhe Kaceli njeri në raport me veten të tjerët e kolegët. Në fakt ka qenë ky botim "Kaceli 1914-2000", që nxiti aktivitetin për piktorin.
Monografia
Eli Xoxa ka vite që punon për realizimin e monografisë së autorit Sadik Kaceli. Ashtu sikurse ajo vet shkruan, takimi i parë i tyre i përket vitit të largët 1985. Nisi si një "gjurmim" i autorëve të traditës që jetonin në Tiranë për arkivin e Galerisë së Arteve. Kështu trokiti edhe në derën e tij. "I mirë, i vërtetë, delikat në sjellje dhe tepër i kulturuar. Njerëz të tillë, artistë të tillë si Kaceli, fisnikërojnë gjininë njerëzore...të tillë e gjeta dhe në moshën 85-vjeçare, atë ditë të vitit 2000, kur rinisëm bashkëbisedimin tonë, të ndërprerë 15 vjet më parë", - shkruan Xoxa në parathënien e monografisë. Për muaj me radhë e takonte, bisedonte, "voli" nga kujtesa e tij atë që do kishte rrezikuar të mos mësohej asnjëherë. Në këtë botin vepra e Kacelit nuk është shkëputur asnjëherë nga jeta e tij. Piktori vet ishte burimi kryesor i ndërtimit të këtij tregimi, siç e quan studiuesja. Për ilustrim janë zgjedhur disa nga veprat që ka realizuar ndër vite, ndërsa nuk mungojnë edhe detaje të tjera të lidhura me krijimtarinë. Shënime të thjeshta që Kaceli kishte shënuar që herët për familjen e tij, letërkëmbime me njerëz të njohur të pikturës, vijnë në faqet e këtij libri. Përmes atyre rreshtave me shkrim dore, të ruajtura deri në ditët e sotme, zbulohet botëkuptimi i një artisti në rrugë e sipër. Nuk mungojnë as analiza për vepra që studiuesja i ka quajtur si shtylla të artit të tij. Ndërsa në fund monografia përmbyllet me vlerësime kolegësh e miqsh që kanë pasur mundësi ta njohin.
Galeria e familjes
Një jetë mes kanavacës, penelave e bojërave, gjithçka që ka lidhje me Sadik Kacelin është brenda galerisë së familjes. Aty ku Buroni, i biri, ka studion e tij, është ngritur dhe një muze kujtese për të atin. Portretet e lypësit, Mixhës, fshatarit, e mbysin indiferentizmin me realizmin e tyre. Sende personale të tij "ngrenë" copëza të shkëputura të jetës. Për momentin janë të vendosura rastësisht. Dy-tri gota me penela qëndrojnë përballë disa portreteve. Nga kanavaca ku për vite Kaceli derdhi bojërat, kanë mbetur vetëm gjurmët e thara të tyre. Në një tjetër vitrinë xhami ka sende personale, përfshirë këtu edhe aparate fotografike. Dëshmi e pasionit të dytë të madh të Kacelit. Tirana e viteve '20, sot pamje nostalgjike, ruhen në negativë të shumtë. Prej tyre ka vetëm dy ose tri foto në këtë hapësirë dedikuar piktorit. Veprat që janë nxjerrë për ekspozitë do të kthehen sërish në këtë galeri familjare. Disa do t'u takojë të varen në mure, të tjera do të palosen në fonde. Në pritje që koha t'i gjykojë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)