E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetet socialistë të Beratit: Topalli po shpërdoron pushtetin

Deputetët e Qarkut të Beratit në një komunikim mediatik kanë shprehur shqetësimin se znj.Topalli duke shpërdoruar autoritetin e saj si Kryetare e Kuvendit ka mbyllur të gjithë institucionet e arsimit dhe shëndetësisë. 

TIRANE-Deputetët e qarkut të Beratit denoncuan publikisht mbylljen e shkollave e spitaleve dhe të gjithë administratës shtetërore në këtë qark. Shkak është bërë turi kushtuar grave i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Deputetët e Qarkut të Beratit, Bashkim Fino, Erion Braçe e Marko Bello në një komunikim mediatik kanë shprehur shqetësimin se znj. Topalli duke shpërdoruar autoritetin e saj si Kryetare e Kuvendit ka mbyllur të gjithë institucionet e arsimit dhe shëndetësisë.
“Në këto çaste nënkryetarja e PD, Jozefina Çobaj Topalli, ka lajmëruar një miting me gra të qytetit të Beratit, në kuadër të turit të saj grotesk “gratë për gratë”.
Duke shfrytëzuar autoritetin e saj si kryetare e Kuvendit... si në të gjithë vendin edhe në qytetin e Beratit, prej orës 8:30 të mëngjesit të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, në rrethet Kuçovë dhe Berat janë mbyllur. Mësueset ....dhe infermieret prej ditës së djeshme janë urdhëruar të lënë ditën e punës dhe të jenë në miting e nënkryetares së PD në kalanë e Beratit”, thuhet në deklaratën e sotme.

Këtë nismë të kryetares së Kuvendit, deputetët e Qarkut të Beratit, Bashkim Fino, Erion Braçe, Marko Bello e kanë cilësuar si dhunë verbale dhe politike të strukturave të PD dhe shpërdorim të pastër të pushtetit ndaj të gjithë të punësuarve në administratën publike.
Sipas deklaratës, shkollat e mbyllura janë të gjitha shkollat e Bashkisë së Kuçovës, komunave Perondi e Kozarë, të gjithë shkollat e qytetit të Beratit, komunave Otllak, Velabisht, Vërtop, Lumas, Kutalli, Poshnje, si dhe të gjithë shkollat e Bashkisë Ura Vajgurore.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›