Post-Hungaria, deklaratat dhe notat e lojtarëveAlbania-sport.com u sjell reagimet e deklaratat e trajnerit Han, lojtarëve të Kombëtares dhënë për mediat vizive, elektronike e ato të shtypit të shkruar.

Shqipëria humbi 0-1 në “Qemal Stafa” në sfidën me kundërshtarin direkt për vendin e katërt, Hungarinë, e dyta në gjashtë ndeshjet e para eliminatore të Kampionatit Botëror 2010. Sot, Kombëtarja u nis drejt Danimarkës. Në bordin e avionit mungonte Lorik Cana, pasi ka plotësuar numrin dy të kartonëve të verdhë. Kapiteni i Marsejës u nis më një avion tjetër drejt Francës.
Albania-sport.com u sjell reagimet e deklaratat e trajnerit Han, lojtarëve të Kombëtares dhënë për mediat vizive, elektronike e ato të shtypit të shkruar.
ARI HAN: “Kemi ende shumë për të bërë. Tani duhet të shohim përpara dhe të mendojmë për ndeshjen me Danimarkën. Kisha thirrur sulmuesit më të mirë të momentit, Salihin e Berishën. Kaq është potenciali i Shqipërisë. Kur luan kundër të mëdha mendon vetëm për fazën mbrojtëse. Bakaj? Bëri një paraqitje shumë të mirë, për aq minuta sa luajti. Është një lojtar i së ardhmes dhe kam shumë besim do të bëjë mëdhenj”.
LORIK CANA: “Goli i Hungarisë kthehu çdo gjë, pasi deri në atë moment isha i sigurt se do të shënonim ne të parët. Në dy-tri raste edhe fati nuk ishte me ne. Hungarezët u treguan më të pjekur se ne. Më vjen keq që nuk do të jem kundër Danimarkës, por kemi lojtarë që mund të krijojnë surpriza”.
ERVIN SKELA: “Ishte e pafalshme. Duhej patjetër që të fitonim, por fatkeqësisht nuk e arritëm. Nuk shfrytëzuam ato momente që na u krijuan gjatë 90 minutave. Nuk jam furnizuar fare me topa. U lehtësuam fitoren hungarezëve, duke iu dhuruar edhe një gol atyre. Danimarka është shumë e vështirë. Historia e ka treguar se ndaj ekipeve të mëdha motivohemi më shumë”.
ALTIN LALA: “Ndeshja ishte luftarake për të dy ekipet, por jo e bukur. Hungaria pati fat që shënoi në atë moment, kur nuk po rrezikonte në portën tonë. Përpara se të shënonin hungarezët bënë një faull kundër Vangjelit. Arbitri nuk ishte në nivelin e duhur, duke bërë një gjykim mjaft të keq”.
KRISTI VANGJELI: “Kemi humbur ndeshjet për gabimet tona. Gjykimi la për të dëshiruar. Ishte një faktor që ndikoi disi, duke pasur parasysh sesi rrodhën ngjarjet. Të shpresojmë se në Danimarkë fati të kthehet në anën tonë”.
DEBATIK CURRI: “Reparti mbrojtës ka në pjesë të fajit në momentin e golit. Duhet të jemi realistë, që pa shënuar nuk mund të fitojmë. Goli është gjithçka dhe kjo na mungon. Ndaj Hungarisë patëm disa raste, pro dhe ato nuk u konkretizuan”.
ARMEND DALLKU: “Torghele më vuri bërrylin dhe më prishi ekuilibrin, prandaj dhe topi nuk u largua nga zona. Në atë moment isha i vetëm midis tri lojtarëve hungarezë. Në atë moment gjyqtari duhej të jepte faull për ne, në shumicën e rasteve ishte kundra nesh, duke favorizuar lojën e hungarezëve. Maksimumi që mund të arrinim ishte barazimi. Të shpresojmë të gjejmë golin në ndeshjen me Danimarkën”.
NOTAT E KUQEZINJVE
Isli Hidi, 6- Te goli nuk kishte përgjegjësi. Nuk pati faj për humbjen. I SIGURT
Armend Dallku, 5- Nuk ishte në formën e tij më të mirë. Pati një pjesë të fajit te goli. NË RËNIE
Lorik Cana, 5 – Spostimi i tij në mbrojtje nuk rezultoi i suksesshëm. I dha një pas të gabuar Torgheles. ASPAK NË FORM.
Debatik Curri, 5.5- Nuk arriti të markojë sic duhet kundërshtarët. Një paraqitje e vakët. ME OSHILACIONE
Kristi Vangjeli, 5 – Jo shumë i orientuar dhe shpeshherë i shpërqëndruar. I ZBEHTË
Altin Lala, 5.5 – Kapiteni shfqi shenja lodhjeje. Nuk arriti të udhëheqë ekipin si duhet në fazën mbrojtëse. PRANË LAMTUMIRËS
Ervin Skela, 5.5- U duk pak në fushë. Nuk e ndihmoi thuajse fare Salihin në fushë, sidomos pjesën e dytë. I LODHUR
Gilman Lika, 5 – Në pjesën e parë i rrezikshëm, ra në të dytën. Rrezikoi në një rast. PREMTUES
Klodian Duro, 5- Nuk dha asgjë nga krosimet, depërtimet e gjuajtjet e tij të rrezikshme. I PAFUQISHËM
Hamdi Salihi, 5- Në pjesën e parë rrezikoi, në të dytën ishte i padukshëm. Shumë i izoluar në sulm. I PARREZIKSHËM
Besart Berisha, 5- I pandreqshëm. E tepron gjithmonë në mbajtjen e topit. Aspak partner në sulm. INDIVIDUALIST
Elis Bakaj, 6- Për aq sa luajti bëri diferencën në fushë. Dha krosime të rrezikshme, duhej futur më parë. BEFASUES
Ari Han, 5- I çoroditi te gjithe me formacionin që hodhi. Ende nuk e ka kuptuar mentalitetin e futbollit shqiptar. ZHGËNJYES
JEP DHE TI VLERESIMET E LOJTARVE SIPAS TEJE
E Diele, 29 Mars 2009