E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han: Nuk jap dorëheqjen

Ari Han ka dribluar përgjigjen në momentin që është pyetur nëse do të largohej apo jo nga pankina kuqezi, për shkak të humbjes që çoi në dështimin e objektivave sezonalë. Pas ndeshjes së mbrëmshme, ku Holanda fitoi 1-0 ndaj Shqipërisë, tekniku kuqezi lavdëroi futbollistët për atë që dhanë në fushë dhe ia vuri fajin mungesës së fatit për humbjen. "Lojtarët sot dhanë më të mirën në fushë, por ishin edhe të pafat. Ne arritëm të krijonim shumë raste, por nuk mundëm të realizonim asnjë. Edhe në pjesën e dytë ne u munduam shumë, por prapë pasaktësia para portës bëri që të mos barazonim", deklaroi tekniku holandez i Shqipërisë. Por, i pyetur nëse do të mbajë përgjegjësitë për këtë humbje, duke dhënë dorëheqjen, Han dribloi: "Jo, nuk do ta bëj këtë, pasi kemi ende shumë ndeshje dhe shumë punë përpara. Tani ne synojmë të marrim pikë në Danimarkë, kështu që s'po mendoj për dorëheqje", tha Han. Tekniku ka arritur vetëm një fitore, tre barazime dhe dy humbje në ndeshjet zyrtare me kuqezinjtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›