Publikohet fjalimi i Kennedyt për “Luftën e Tretë Botërore”

Filmat dhe librat e historisë kanë dokumentuar vijën që ka ndarë SHBA-të dhe Bashkimin Sovjetik nga konflikti bërthamor gjatë 13 ditëve të tetorit të vitit 1962, kulmi i Krizës Kubane të Raketave. Por, një fjalim i hartuar nga presidenti amerikan, John F. Kennedy, i publikuar së fundi, vë në pah se sa afër kanë qenë palët që të nisin Luftën e Tretë Botërore.
Kennedy kishte planifikuar t’i thoshte publikut amerikan: “Bashkatdhetarët e mi amerikanë, me zemër të rënduar dhe me domosdoshmërinë e përmbushjes së betimit tim, kam urdhëruar- dhe Forca ajrore e SHBA-së tashmë ka kryer- operacionet ushtarake vetëm me armë konvencionale, për të larguar armët bërthamore që po ndërtohen në tokën e Kubës”, thuhej në fjalim.
Fjalimi është pjesë e thekseve të një arkivi që përmban afër 3 mijë faqe shënimesh, transkriptesh dhe dokumente të tjera të mbajtura nga Robert Kennedy, i vëllai i presidentit dhe këshilltari i afërt i tij.
Ato janë postuar online nga Biblioteka Presidenciale John F. Kennedy dhe Muzeu në javën e kaluar, në kohën që koincidon me 50 vjetorin e krizës.