E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinezët ndjekin fushatën presidenciale në SHBA

Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale amerikane, faqet e internetit në Kinë po i ndjekin me vëmendje zhvillimet në fushatë, duke bërë analiza dhe komente të hollësishme, veçanërisht kur në fushatë përmendet Kina. Ky mbulim i hollësishëm i fushatës ndryshon dukshëm nga mbulimi i përciptë i ndryshimeve në qeverinë kineze këtë nëntor.

Vetëm disa orë pasi Presidenti Barack Obama dhe rivali i tij republikan, Mitt Romney, zhvilluan debatin e tyre të dytë presidencial, përdoruesit e internetit në Kinë ndiqnin pasazhe të përkthyera të debatit.

Në Kinë, përmes një shërbimi që i përngjet Twitter-it, përdoruesit jo vetëm që mund të bënin komente për aftësitë e pjesëmarrësve në debat, por edhe të ofronin aludime mbi ndikimin që politikat do të kishin tek Kina.

Zhou Peiyuan, përdorues i shërbimit Weibo, nuk e sheh si diçka negative që Kina po kritikohej, pasi kjo vëmendje ndaj Kinës është tregues i fuqizimit dhe ndikimit që ka Kina në arenën ndërkombëtare, shkruan ai në blog.

Politologu Xie Tao thotë se shumë analistë në Kinë po i ndjekin debatet për të parë për shenja ndryshimesh në politikën amerikane, por ka shumë të tjerë që shfaqin një interes më të thjeshtë: “Shumë njerëz i ndjekin debatet për kuriozitet, për të parë çfarë po bëjnë kandidatët, por ka njerëz që duan të dinë se çfarë temash po debatohen”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›