Posta Shqiptare, me emisionin e pullave me Parkun e Orikumit, një dëshmi për vlerësimin e pasurisë kulturore shqiptare
Nga Gëzim Llojdia
Drejtor i parqeve arkeologjike Amantia-Oikum
“Posta Shqiptare”, institucioni që është treguar më seriozi në këto vitet e fundit të tranzicionit, përmes një rimëkëmbjeje të shkëlqyer dhe një menazhimi korrekt ka emëtuar së fundmi, në vitin 2008, në pulla dhe zarfe lashtësinë shqiptare. Kështu është fiksuar parku i Orikumit, Antigoneas dhe Sinagoga në Sarandë. Vendosja e një prej monumenteve në pullën shqiptare siç është teatri i Orikumit, kthen sytë për herë të parë nga lashtësia shqiptare ku pasuria e saj është më të vërtetë e habitshme dhe e kudondodhur.
Në Gjirin e Vlorës, brenda hapësirave të bazës ushtarake të sotme të Pashalimanit gjenden rrënojat e një qytetërimi të hershëm. Një liman detar shtrihej në këtë gji të bukur deti që prej kohëve më të hershme përpara se të fillonte historia e krishtërimit. Skylaksi ka përmendur Orikun port detar. Sipas legjendës, fisi pellazg Eubeas gjatë kthimit nga Troja themeloi qytetin e Orikut. Ka ende edhe formulime të tjera të kësaj natyre si tregtarët e Apolonisë që mendohet ndoshta se e themeluan për gurin dhe për të mbajtur nën zotërim guroret e saj të famshme. Vepra më e madhe e zbuluar në këtë qytet i përket teatrit. Themi më e madhe si atraksioni më i shkëlqyer sepse gërmimet aty kanë ndalur, ose më qartazi kanë heshtur prej 60 vjetësh, qëkur Pashalimani, kjo bazë e hershme detare pas viteve ‘45 në fillim shkoi si bazë e traktatit të bllokut lindor dhe më pas ngeci e izoluar totalisht, por një bazë militare e ruajtur dhe e përdoruar më topa, ushtarë, municione, bunkerë, nëndetëse, me shumë gryka zjarri dhe zbulimet arkeologjike të atyre fillim viteve mbetën të izoluar përmes rutinës ushtarake u karfosën u izoluan nga pjesa tjetër e simotrave kulturore. Prej asaj kohe humbi nën qerpik vëmendja dhe zbulimet mbetën në shurdhërinë e kohës Ka pasur një interesim pas vitit 2005 dhe ne vjeshtë ne vitit 2006, kohë në të cilën Oriku i lashtë u shpall një park arkeologjik me administratë e me specialistë. Ndonëse ka ndryshuar tre herë emra që nga Oriku në kohët e zanafillës, Jeriko në atë të Bizantit dhe Pashalimani në kohë të Perandorisë Osmane, emir i tij i parë dhe fillestar ka mbetur dhe mbetet më i përdorshmi, më i shumti dhe më i pranueshmi.
Emëtimi na pulla e zarfe përbën një vlerë për kulturën tone dhe qytetërimet e lashta. Mesazhi që dha Posta Shqiptare është një ndër mesazhet më të vlefshme, njëkohësisht treguese për kulturën tonë dhe rrënjët e saj.