E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria do të vendosë para drejtësisë autorët e aktit mizor”

Vrasja e deputetit Xhindi, Krerët më të lartë të shtetit dënojnë aktin kriminal. Kryeministri Berisha garanton zbardhjen e ngjarjes

TIRANE – “Vdekja e deputetit Fatmir Xhindi nga një akt barbar dhe kriminal, është një ngjarje e rëndë dhe shokuese për Fierin dhe mbarë vendin. Deputeti Fatmir Xhindi gjatë veprimtarisë së tij parlamentare në tre legjislatura është dalluar nga përkushtimi, përgjegjshmëria dhe serioziteti në përmbushjen e detyrë së tij të rëndësishme të ligjvënësit”, bëri të ditur dje nëpërmjet një njoftimi për shty Kryeministri Sali Berisha. Kryeministri Sali Berisha duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal të shëmtuar, i shprehu ngushëllimet më të thella familjes, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, Partisë Socialiste dhe Parlamentit. “Kryeministri Berisha i siguron ata se qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat dhe do bëjë çdo përpjekje që autorët e këtij akti mizor të gjinden sa më parë dhe të vendosen para drejtësisë në mënyrë që të marrin dënimin që meritojnë”, siguroi Kryeministri Berisha.

Kryeministri Sali Berisha ngushëllon familjen e deputetit Fatmir Xhindi
Kryeministri Sali Berisha ishte dje në Roskovec pranë familjes së deputetit të ndjerë të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, i cili humbi jetën mbrëmë pas një akti kriminal.
Pasi ngushëlloi familjen kryeministri u shpreh për mediat se “ky akt i shëmtuar kriminal ka shokuar jo vetëm familjen e deputetit Xhindi, familjarët e tij, bashkëqytetarët e tij, kolegët e tij deputet por, të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët”.
“Fatmir Xhindi është deputet në tre legjislatura dhe gjatë gjithë veprimtarisë së tij ka dëshmuar përkushtim dhe përgjegjësi ndaj detyrës shumë të rëndësishme që i kanë besuar qytetarët e Roskovecit.  Unë erdha për t’i shprehur ngushëllimet familjes si dhe për të siguruar se kjo qeveri do të bëj çdo gjë për të gjetur dorën e zezë të krimit, autorin apo autorët, të cilët qëlluan prapa shpine dhe ekzekutuan deputetin Fatmir Xhindi, në pragun e derës së shtëpisë së tij. Ne nuk do të lëmë pistë hetimi, do të mobilizojmë të gjitha llojet e mjeteve në mënyrë që të kapim sa më shpejtë autorin apo autorët e këtij krimi të shëmtuar. Edhe një herë, jam këtu për t’u shprehur ngushëllimet qytetarëve të Roskovecit, familjes dhe miqve, të afërmve të deputetit Xhindi”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kryeparlamentarja Topalli, homazhe dhe lule për deputetin e ndjerë Fatmir Xhindi
Edhe Kryetarja e Kuvendit takoi dhe i përcolli ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të deputetit Fatmir Xhindi, bashkëshortes së tij, fëmijëve dhe familjarëve të tjerë. Topalli deklaroi se kjo është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë, ka goditur të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe shprehu bindjen se autori i aktit kriminal do të marrë dënimin më të rëndë.
“Kjo është një ngjarje kriminale e shëmtuar, jashtëzakonisht e rëndë ka goditur deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, na ka goditur të gjithë neve. Të gjithë jemi të tronditur për humbjen e deputetit, kolegut që kemi punuar 12 vite, një kontribut që unë e vlerësoj jashtëzakonisht. Unë shfrytëzoj rastin dhe një herë të shpreh ngushëllimet më të sinqerta në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, timin personal, familjes, miqve, kolegëve  të afërmve të dashur për humbjen e kolegut, me të cilin kemi punuar prej kaq vitesh. Në të njëjtën kohë jap mbështetjen maksimale policisë dhe gjithë institucionet në kërkim të kriminelit. Unë jam, e sigurt që institucionet do e dënojnë me dënimin më të ashpër. Doja t’u thosha të gjithë gazetarëve që në këto momente kaq të rënda të mbështesim të gjithë bashkë, institucionet e shtetit. Nuk është moment abuzimi dhe duke i mbështetur ato, bëjmë të mundur që të jepet dënimi që i përket vrasësit, kriminelit, që ka  goditur Parlamentin e Shqipërisë, jo vetëm deputetin Fatmir Xhindi. Na ka goditur të gjithëve unë jam e sigurt që krimineli do marrë dënimin më të ashpër”, deklaroi kryetarja e Kuvendit Topalli

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›