E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova e pavarur dhe shqiptarët në NATO - ishin ideale të Sali Çekajt

Këto ditë në organizim të Degës së LDK-së në Gjermani dhe nëndegës së LDK-së në Baden-Vürttemberg e të ndihmuar nga klubi “Bardhosh Gërvalla”, në Ludwigsburg, u mbajt akademi përkujtimore për Heroin e Kosovës, Sali Çekajn, ish-nënkryetar i Degës së LDK-së në Gjermani i cili ra heroikisht më 19 prill 1999 në Koshare. Në këtë akademi pos aktivistëve të LDK-së nga Gjermania, morën pjesë edhe delegacioni i Degës së LDK-së nga Zvicra i kryesuar nga Haki Latifi, kryetar, sekretari i Ambasadës së Kosovës në Berlin, Islam Spahiu si dhe familjarë të heronjëve e të dëshmorëve të rënë gjatë luftës së fundit: nga familja e Ahmet Krasniqit, Tahir Zemajt, Smajl Hajdarajt etj.
Duke e hapur këtë tubim Astrit Zemaj, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së dhe kryetar i nëndegës në Baden-Württemberg, tha se njerëzit e mëdhenj, heronjtë, lindin dhe rriten në rrethana të veçanta, nuk janë të ngjashëm me të tjerët për faktin se ata me gjithë qenien, veprimet dhe punën e tyre i përkushtohen çështjes kombëtare dhe të mirës së popullit që i takojnë. Ata pa llogaritur privilegjet personale dhe mirëqenien për vete, në momente të veçanta me tërë forcën fizike dhe shpirtërore i përkushtohen kauzës për të cilën jetojnë. Të gjithë ata që e kanë njohur, kanë punuar dhe vepruar në momentet më të vështira për Kosovën së bashku apo në krah të Sali Çekajt nuk e kanë pasur vështirë të dallojnë shenjat shpirtërore morale të një heroi tradicional që Zoti i kishte dhuruar atij.
Sali Çekaj u shndërrua në një simbol të sakrificës kombëtare. Sot falë kësaj sakrifice dhe përkushtimi sublim të gjeneratave të tera dhe përkrahjen e pakrahasueshme, me ndonjë shembull tjetër nga ana e miqve evropianë dhe në veçanti amerikanë, Kosova është e renditur në mesin e vendeve të lira, të pavarura e cila çdo ditë e më tepër po bën hapa të përshpejtueshëm për avancimin e pozitës së saj në Evropë dhe për integrimin sa më të shpejte në strukturat euroatlantike. E gjithë kjo është e ngjashme me amanetin e fundit të Heroit Sali Çekaj.
Më pastaj një referat për aktivitetin e Sali Çekajt në emër të degës së LDK-së në Gjermani e mbajti Hazir Krasniqi, kryetar. Ai me këtë rast tha se sot përkujtojmë Salih Çekajn, njërin ndër figurat më komplete të historisë së re të kombit tonë, njërin ndër prijësit e themeluesit e rrezistencës së armatosur ushtarake të Kosovës, kreatorin dhe realizuesin e thyrjes së kufirit shqiptaro- shqiptar në Koshare. Sot përkujtojmë Salih Çekajn – Heroin e Kosovës, me urdhër të artë, i shpallur me dekret të veçantë nga presidenti legjendar dr. Ibrahim Rugova, në gjashtëvjetorin e rënies së tij. Në këtë dhjetëvjetor të rënies së heroit tonë Salih Çekaj, Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht. Nga 1 prilli i këtij viti Shqipëria u bë anëtare e NATO-s me të drejta të plota, ideal ky për të cilin u sakrifikua Salihu ynë dhe shumë e shumë dëshmorë të tjerë. Emri dhe nami i Salih Çekajt krahas emrave të Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit, Fehmi Aganit, Ahmet Krasniqit, Agim Ramadanit, Tahir Zemajt si dhe e shumë kolosëve të tjerë të pavarësisë së Kosovës, sot njihet dhe nderohet kudo në botën shqiptare.
Takimi në afërsi të Stuttgartit nuk ishte krejt i rastësishëm. Salihu jetoi dhe veproi aty. Ishte ndër më të merituarit që nëndega e LDK-së në Baden-Württemberg u bë nëndega më e madhe në diasporë ku numëronte 75 aktive të LDK-së.
Salihu kishte titullin e eprorit rezervë dhe kishte njohuri të shumta të artit ushtarak. Ai dhe anëtarët e tjerë të Kryesisë kishin evidentuar gati të gjithë ushtaraket që kishin braktisur ish-ushtrinë jugosllave dhe që ishin të gatshëm t´i dalin zot Kosovës. Ndër ta ishin Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj, Agim Mehmeti, Sylejman Kollçaku, Brahim Ukëhaxhaj, Burhan Jahiu e shumë e shumë të tjerë. Ne mendonim se duhet të organizojmë një ushtri të mirëfilltë e të përgatitur mirë me kuadër të kualifikuar në lëmin e artit ushtarak. Pas shumë peripecive LDK- ja arriti një marrëveshje me strukturat e atëhershme udhëheqëse të Shqipërisë, ku në tetor të vitit 1991 na u lejua një vend për stërvijtjen e formacioneve të para ushtarake. Salih Çekaj, Zahir Pajaziti, Adem Jashari ishin të parët që filluan stërvijtjen e luftetarëve të lirisë. Në dhjetor të vitit 1991 nën udhëheqjen e Komandantit legjendar Salih Çekaj u kalua kufiri me detyra konkrete, ku u uganizuan aksionet e para guerile në Deçan, Drenicë e Llap.
Me aktin e tij heroik, si aktin më sublim në jetën e njeriut, Salih Çekaj në mënyrën më të ndritur iu bashkua piemontit te burrave më të mëdhenjë të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar. Salihu si i tillë që ishte, intelektual i llojit të veçantë, si ushtar i devotshëm, prijes dhe komandant është si zjarr komete që nuk shuhet kurrë. Kosova do ta kujtojë përjetësisht komandantin martir Salih Çekaj. “Në përvjetorët si ky i sotmi, 10 vjetorit të rënies heroike të heronjve, sipas konceptit gjithmonë-përkujtim, ose akademi përkujtimore, shpesh nga çasjet se si nisemi, ndodhë që nuk arrijmë ta prekim rolin e rëndësishme që ka figura e heronjve siç është figura shumë kuptimplote e Sali Çekaj” - tha Arif Molliqi, shkrimtar. Çdo veprimtari politiko-ushtarake që ndodhi në Dukagjin është e lidhur me emrin e Sali Çekajt. Ai nuk ishte folklorist në dashurinë për atdheun e as në politikë, vazhdoi Arif Molliqi. Të gjitha këto virtyte i kishte heroi Sali Çekaj, andaj unë kësaj radhe, duke mbetur në kornizat e përkujtimit, po marrë guxim, njëherë edhe leje, që t´ua përkujtojë kësaj radhe vetëm karakterin institucional që kishte heroi Sali Çekaj ndaj shtetit të Kosovës dhe çështjes kombëtare në përgjithësi.
“Të flasësh për figurën e Sali Çekajt është një nder i madh, por është edhe një përgjegjësi e madhe, sepse kemi të bëjmë me një ndër figurat më të mëdha të kombit në historinë më të re të Kosovës” - tha gjatë fjalës së tij Saim Tahiraj, bashkëveprimtar i heroit Sali Çekaj. Ai ishte një figurë poliedrike, shumëdimensionale e cila ngërthen në vetë të gjitha ato veti që rrallë herë në histori mund të gjinden të kompletuara te një personalitet udhëheqës të cilin e bëjnë të pranueshëm për të gjitha shtresat e shoqërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›