E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posta, në 2 ditë 79 mijë e 826 pensionistë tërheqin shpërblimet

Ka shkuar në 79 mijë e 826 numri i pensionistëve, të cilët në harkun e dy ditëve kanë tërhequr shpërblimin e akorduar nga qeveria në sportelet e Postës Shqiptare. Bazuar në vendimin nr.1216 të Këshillit të Ministrave, datë 16.12.2009 vazhdon shpërndarja e shpërblimit për festën e fundvitit për të 555 mijë pensionistët në të gjitha zyrat postare të filialeve të Postës Shqiptare. Sipas vendimit, të gjithë pensionistët do të mund të tërheqin në sportelet e postës shpërblimin prej 2500 lekësh deri më 31 dhjetor dhe asnjë pensionist nuk do të mbetet pa marrë dhuratën e qeverisë edhe në janar. Vetëm ditën e parë 40 mijë e 52 pensionistë kanë mundur të tërheqin shpërblimet në sportelet e Postës Shqiptare. Së bashku me ditën e djeshme edhe numri i pensionistëve që kanë tërhequr “Kartolinën e Vitit të Ri” të dhënë nga qeveria ka shkuar në 79.826 mijë. Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, ISSH-ja, në bashkëpunim me Postën Shqiptare ka hartuar një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij deri në fund të dhjetorit. Sikurse dhe vitet e tjera, Posta Shqiptare ishte gati me planin e masave për të qenë në dispozicion të pensionistëve, me qëllimin e vetëm që ata të marrin shpërblimin e dhënë dhe asnjë prej tyre të mos mbetet pa e marrë “Kartolinën e Vitit të Ri”.

Qeveria përcakton kriteret për përfitimin e fondit për bujqësinë e zhvillimin rural

Qeveria miratoi dje vendimin për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masave të përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ky vendim u miratua bazuar në ligjin “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural” dhe në ligjin “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Në bazë të këtij vendimi, fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2010 për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, zëri “Transfertë në buxhetet familjare”, të përdoren për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe të agro-përpunimit. Po sipas këtij vendimi,
sektorët, që do të mbështeten nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të jenë: mbjellja e ullishtave, pemëtoreve dhe vreshtave, prodhimi i fidanëve të certifikuar të ullirit, zbatimi i teknologjive moderne të ujitjes, prodhimi i perimeve në serat diellore,
prodhimi blegtoral, prodhimi i produkteve bio, prodhimi i vajit të ullirit dhe nxitja e kreditimit bankar në sektorin e bujqësisë. Masa e përfitimit të drejtpërdrejtë nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, sipas kritereve, të jetë, e ndarë në disa degë. Mbjellja e ullinjve, agrumeve dhe pemëve frutore, 250.000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, për format tradicionale, dhe 350.000 (treqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, për format intensive të kultivimit të tyre. Sipërfaqja e mbjellë duhet të jetë jo më pak se 2 (dy) dynym. Mbjellja e vreshtave, 500 000 (pesëqind mijë) lekë/ ha. Sipërfaqja e mbjellë duhet të jetë jo më pak se 2 (dy) dynym. Ujitja me pika në pemëtore, agrumishte dhe ullishte intensive, në masën 300 000 (treqind mijë) lekë/ha, për sipërfaqet jo më të vogla se 2 (dy) dynym. Prodhimi i produkteve bujqësore bio nga bimët e kultivuara, 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë/fermë në vit. Blerja e plastmasit për serrat me ngrohje, diellore dhe teknike, 200.000 (dyqind mijë) lekë/ha serrë, për sipërfaqet jo më të vogla se 2 (dy) dynym. Pagesa me 10 lekë/litri, qumësht, për fermat blegtorale, që mbarështojnë 10-50 krerë lopë qumështi të racave të pastra dhe kryqëzimet e tyre. Pagesa të bëhet kundrejt sasisë së qumështit të deklaruar në organet tatimore. Pagesa 500 (pesëqind) lekë për kokë dele, për tufat me mbi 50 krerë, të matrikuluara. Prodhimi i vajit të ullirit extra-vergine, 100 (një qind) lekë/litri, për sasitë deri në 15 tonë/viti. Nxitja e kreditimit bankar në sektorin e bujqësisë për mbështetjen, përmes subvencionimit, në masën 70 % të normës së interesit, për 3 vite radhazi, për kreditë, deri në 15.000.000 lekë, që do të merren për ruajtje dhe përpunim të produkteve, bujqësore dhe blegtorale, si dhe për mjete mekanike bujqësore.

Genc Juka emërohet drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritet Kombëtar të Ushqimit është emëruar Genc Juka. Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të radhës miratoi dje vendimin për emërimin në detyrë të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, mbështetur në nenin 100 të Kushtetutës dhe të nenit 65, të ligjit “Për ushqimin”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Genc Juka ka qenë deputet i Partisë Demokratike për qytetin e Durrësit në legjislacionin e kaluar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›