E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, qeveria miraton lejet për 5433 ndërtime

Këshilli i Ministrave miratoi dje lejet e radhës të legalizimeve. Në total do të marrin lejen 5433 ndërtime pa leje në të gjithë vendin. Në këtë vendim trajtohen 5433 parcela ndërtimore, si dhe shtesa pallatesh me një sipërfaqe totale prej 1 838 208.87 m². Përfitues në ketë vendim të Këshillit të Ministrave janë rreth 7 mijë familje. Lejet që u miratuan dje në mbledhjen e qeverisë, janë të shpërndara në të gjithë vendin. Zotëruesit e këtyre ndërtimeve duhet të paraqiten pranë zyrave rajonale të ALUIZNI-t për të bërë pagesat që kërkohet. Ata mund të paguajnë deri në 50 për qind të vlerës me letra me vlerë. Por, jo të gjithë që kanë një ndërtim pa leje, mund të paguajnë me letra me vlerë. Kështu, për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi ndryshon në bazë të metrave katrorë. Me bono thesari paguajnë ata që kanë mbi 500 metra katrorë parcelë ndërtimore. Këta individë e paguajnë me vlerë tregu ndërtimin, kështu që sipas ndryshimeve ligjore, ata kanë mundësi të paguajnë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit. Për parcelat ndërtimore të ndërtimeve informale brenda vijave do të paguajnë me letra me vlerë ata që kanë mbi 300 metra katrorë dhe do të mund të paguajnë vetëm 50 për qind të vlerës së ndërtimit me bono privatizimi. Për sa u përket shtesave pa leje, çdo ndërtim mbi 100 metra katrorë do të paguajë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit. Nga ana tjetër, bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›