E Diel, 1 Nëntor 2026

Pozita-opozita, akuza për lidhjet reciproke me Delijorgjin

Balla, Topallit: “Zbardhni Gërdecin! Tani i keni faktet në media”. “Berisha dhe i biri janë të implikuar dhe po bëjnë për moszbardhje”

Eljona Ballhysa
Pozita dhe opozita kanë hedhur akuza të ndërsjella për lidhjet e tyre me Delijorgjin, një ndër të akuzuarit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit, i ka kërkuar asaj që të kërkojë zbardhjen e plotë të tragjedisë së Gërdecit. Duke iu referuar shkrimeve në media për lidhjen e Delijorgjit me një nga këshilltarët e kryeministrit Berisha, Fajri Balliun, Balla u shpreh se tani faktet janë të qarta, ndaj dhe kjo tragjedi duhet të zbardhet. Balla gjithashtu hodhi akuza edhe kundër kryeministrit Berisha dhe djalit të tij për implikim në tragjedinë e Gërdecit. Në përgjigje të tij, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh se më parë, për lidhjen me Delijorgjin, duhet të flasë kryetari i PS-së, Edi Rama.
Akuzat
“Ti ke kërkuar në këtë Parlament zbardhjen e lidhjeve të Delijorgjit me personat e tjerë. Dje shtypi dhe Prokuroria ta kanë lehtësuar punën dhe kanë thënë që këshilltari kryesor i Berishës është njeriu drejtpërdrejt i lidhur me Delijorgjin. Këto dy kontrata themelimi implikojnë përmes sekserit shqiptar, Balliu, lidhjet e kryeministrit dhe djalit të tij më çështjen e Gërdecit”, - u shpreh Balla. Më tej ai u është referuar ngjarjeve të vitit 1997. “Memoria e popullit nuk duhet të harrojë ’97-n e as 15 marsin e 2008-s, ku Berisha dhe i biri janë të implikuar drejtpërdrejt dhe po bëjnë presion që çështja e Gërdecit të mos zbardhet”, - tha Balla nga foltorja e Parlamentit. Deputeti socialist kërkoi t’i vinte në dispozicion kryetares së Parlamentit kontratat e publikuara në media këto ditë, që implikojnë Berishën me Fahri Balliun dhe lidhjen e drejtpërdrejtë për çështjen e Gërdecit. “Bëhu e fortë dhe prano realitetin, se na i ke kërkuar. Merri këto letra e çoji në Prokurori”, - është shprehur Balla, ndërsa ka shtuar se Fahri Balliu nuk është përfshirë vetëm në aferën e Gërdecit, por edhe në afera të tjera korruptive, që kanë të bëjnë me vjedhjen e fondeve në ndërtimin e rrugëve kryesore të vendit. “Deputetët duhet të bëjnë thirrje për zbardhjen e çështjes sepse Balliu është pjesë e rrethit të ndërtuar në vjedhjen e fondeve të rrugës Durrës-Kukës, Fier-Vlorë dhe Tepelenë-Gjirokastër”, - është shprehur Balla. Edhe deputeti tjetër i PS-së, Marko Bello, duke iu referuar lidhjes së Balliut me Delijorgjin, është shprehur se qeveria po ushtron presion ndaj Prokurorisë në mënyrë që të mbulohen faktet. “Fakti që kryeministri Berisha ka ushtruar presion të vazhdueshëm mbi Prokurorinë dhe e ka anatemuar atë duket se ka krijuar një lloj druajtjeje te drejtuesit e grupit të hetimit për t’u shkuar deri në fund lidhjeve politike të kësaj tragjedie. Tani që dosja e Gërdecit është në gjykatë dhe media zbulon fakte të tilla të reja, shumë lehtë të verifikueshme më parë, tregon se jemi para një rezultati të dyshimtë hetimi dhe një përpjekjeje për t’i qëndruar larg pistës së lidhjeve politike me këtë tragjedi, çka në të vërtetë është thelbi më kriminal i kësaj tragjedie”, - është shprehur Bello.
Mbrojtja
Në kundërpërgjigje ndaj Ballës, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duhet të jetë i pari që të flasë për lidhjet e tij me Mihal Delijorgjin. “Përpara se të përgjigjem, shko e thuaji kryetarit se kam të regjistruar mbi 200 telefonata mes tij e Delijorgjit. Pse i ka dhënë leje ndërtimi Delijorgjit dhe përse nuk ia heq këto leje ndërtimi? Me kë ishte në Kretë Delijorgji dhe kujt ia pagoi qëndrimin? Le të bëhet burrë e të flasë vetë e të mos nxjerrë zëdhënësit e tij”,- është shprehur Topalli. Sipas dokumenteve të botuara në media rezulton se në aktin e themelimit të kompanisë “Trans Digging Construction sh.p.k”, ortakë themelues të saj janë Mihal e Kristo Delijorgji dhe Henris Balliu, vajza e Fahri Balliut.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›