Braçe: “Qeverisja e Berishës e ka zhytur vendin në varfëri”
Socialisti Erion Braçe ka akuzuar qeverinë “Berisha” se e ka zhytur vendin në varfëri, papunësi dhe se vazhdon ende t’u premtojë shqiptarëve mirëqënie kur s’ka para me se ta bëjë. “67% e shqiptarëve kanë shqetësim papunësinë, pasi ka 4 vjet që qeveria s’po bën asnjë gjë për papunësinë”, - tha Braçe, duke shtuar se përkundër kësaj është gjetur një mënyrë për t’u marrë qindarkën e fundit atyre që punojnë. “Sikur të mos mjaftonte kjo, vendoset taksa e sheshtë, që po i rrënon më tej shqiptarët. Qëkur e keni vendosur këtë taksë të sheshtë, vetëm në një vit, u keni hequr njerëzve 200 milionë dollarë”, - theksoi Braçe.
Sipas socialistëve, kryeministri Berisha po rrit virtualisht numrin e të punësuarve me anë udhëzimesh të veçanta të qeverisë. “Kjo është kategoria e re e Berishës, punëtorët virtualë, ruletët e Shqipërisë rritin punësimin virtual”, - u shpreh Braçe. Gjithashtu Braçe mbështeti deklaratën e FMN-së, sipas së cilës, qeveria të mos rrisë pagat e pensionet, pasi vendi ndodhet në prag të krizës ekonomike. Braçe tha se qeveria, në krizë ekonomike, merr vendime me synime përfitimesh elektorale.
10 Prill 2009