“Prag Eurovision”, RTSH sjell atmosferën e Eurovision Song Contest 2026 me një program të dedikuar me Intervista dhe lidhje live para netëve të mëdha

Radio Televizioni Shqiptar vjen me një program të veçantë kushtuar Eurovizion 2026. Në datat 12 dhe 14 maj, duke nisur nga ora 20:30 deri në 21:00, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë Prag Eurovision nën moderimin e Andri Xhahu dhe Antoneta Koçi.
Programi do të sjellë atmosferën e këtij eventi përmes intervistave ekskluzive, lidhjeve të drejtpërdrejta dhe materialeve nga prapaskenat e festivalit, duke e afruar edhe më shumë publikun shqiptar me emocionet e Eurovizionit.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përfaqësimit të Shqipërisë në këtë edicion, me informacione të fundit dhe lidhje direkte nga arena e festivalit, pak çaste para nisjes së netëve të mëdha.
“Është hera e parë që bëhet, është hera e parë që në prag të festivalit të Eurovizionit vijmë me një hapësirë të dedikuar. Natën e parë dhe natën e dytë gjysmëfinale në orën 20:30, menjëherë pas përfundimit të edicionit të lajmeve do të mundemi që për 30 minuta të sjellim të gjitha emocionet që ndodhin në Vjenë por edhe në Tiranë, ku do të kemi lidhje të drejtpërdrejtë. Eurovisioni është në edicionin 70-të dhe është pjesëmarrja e 22-të në Eurovision dhe të gjithë fokusin do ta kemi tek kënga jonë”, u shpreh moderatori Andri Xhahu.
Me këtë program, RTSH synon të përcjellë jo vetëm spektaklin muzikor, por edhe emocionet dhe pritshmëritë që shoqërojnë një nga eventet më të ndjekura muzikore.
/rtsh.al/