Rrëqeth Liljana Kondakçi: Kur vajza ime në Greqi dëgjoi Alis me “Nan” i rrodhën lotët

Sonte nis edicioni i 70-të i Eurovision Song Contest 2026, me gjysmëfinalen e parë që zhvillohet në Wiener Stadthalle në Vienna.
Shqipëria do të përfaqësohet nga Alis me këngën Nân, e cila do të interpretohet në gjysmëfinalen e dytë më 14 maj. Kënga ka marrë vlerësime të shumta si nga publiku shqiptar ashtu edhe nga fansat ndërkombëtarë të Eurovisionit.
E ftuar në studion e emisionit “Në Kohë Reale” në RTSH, këngëtarja e njohur Liljana Kondakçi u shpreh shumë optimiste për suksesin e Shqipërisë në këtë edicion.
“Kënga më ka pëlqyer shumë dhe kam diçka që nuk mund të rri pa e thënë. Kur e kam diskutuar me vajzën e cila jeton në Greqi, dhe i thashë: ‘mami dëgjoje këtë këngën’, i rrodhën lotët tek mesi i këngës dhe më tha: ‘mami kjo këngë duhet të marrë vend të parë’. Këngëtari shumë i mirë, orkestracioni, kënga, teksti, të gjitha, një harmoni. U përlot sepse vërtet ajo këngë ishte për t’u përlotur dhe kam një parandjenjë që do dali shumë djali”, u shpreh ajo.
Kënga “Nân”, e shkruar dhe interpretuar nga Alis, trajton temën e emigrimit dhe lidhjes së fortë familjare, duke sjellë emocione të forta përmes një balade moderne me motive shqiptare.
/rtsh.al/