Zhurmëmadhi i pabesueshëm Edi Rama i lau duart nga emigrantët tanë në Greqi
Korrespondenti në Athinë i njërit nga rrjetet televizive të kryeqytetit Robert Goro, ka bërë të njohur një “bast”, - siç shprehet ai,- të cilit i duhet bërë jehonë, si një lajm domethënës dhe të gëzueshëm. Dihet sesi Edi Rama vinte shpesh në Greqi për takime me militantët e tij që organizonin 200-300 veta që të bërtisnin sa të mundnin, në vendet më të dukshme, vetëm për të krijuar përshtypjen e një pune të suksesshme. Si njeri i ekzaltuar, E. Rama mashtrohej dhe mashtronte “zellin” e të ngarkuarve të tij për tym propagandistik. Koha tregoi se elektorati i emigrantëve shqiptarë në Greqi, si një mbështetje e madhe në favor (të Ramës) nuk ishte veçse një montazh për të lënë mbresa në mirëbesuesit naivë. Thelbi i paraqitjes me shkrim të Garos dokumenton se zhurmnaja propagandistike e Ramës nuk vonoi të përfundonte në një flluskë sapuni. Ky huq reklamues i E. Ramës jepet, tashmë, në një të vërtetë diametralisht të kundërt. Shkrimi i ballafaqon faktet bindëse me një veprimtari tepër interesante të zyrës elektorale të degës së PD-së për Greqinë, në një apartament në katin e 7-të, përballë Bashkisë së Athinës. Kryetari i grupit të punës për zgjedhjet është Fatmir Gjoçi nga Lura, një emigrant që s’ka nevojë të bëjë mitingje shterpë, përderisa emigrantët shqiptarë i mblidhen në zyrë zotit Gjoçi, ku priten me dashamirësi çdo ditë nga përgjegjësi i kësaj zyre, që gëzon një reputacion të madh te bashkësia e emigrantëve shqiptarë.
Mjafton të këqyrim personalitetin e kryetarit të grupit të PD-së. Fatmiri ishte ekonomist; emigroi në Greqi në vitin 1998; u punësua fare rastësisht te një sipërmarrës që merrej me dekorime banesash e, për fare pak kohë, nisi të punonte i pavarur. Krijoi një kompani të madhe, të specializuar për dekorime gipsi me motive nga antikiteti, ku punësoi shqiptarë e grekë. Kishte marrë përsipër restaurimin apo dekorimin e shumë objekteve që kushdo do të ndihej krenar, si hotelin më luksoz të Athinës, Grande Bretagne, godinën e Parlamentit grek, Presidencën e Republikës.
Roberti shkruan, më tej, se F. Gjoçi kishte fituar simpatinë e shqiptarëve për dashamirësinë ndaj tyre, për punën e palodhur për t’i punësuar emigrantët shqiptarë dhe për humanizmin për t’u ardhur në ndihmë për hallet e tyre si emigrantë. Natyrisht që kjo veprimtari nuk ngjante asfare me ato të të ngarkuarve të Ramës për të jetësuar një realitet të paqenë e për të fryrë edhe më tepër mburrjet e ustait “të suksesshëm”. “Kur kishte bërë dasmën në Shqipëri, aty kishin shkuar shumë prej bashkëpunëtorëve të tij grekë, përveç shqiptarëve” - na thuhet në këtë shkrim.
Fatmir Gjoçi, bashkë me 28 demokratët e tjerë që kanë mbi supe barrën e organizimit të fushatës zgjedhore në Greqi, janë me të vërtetë një përzgjedhje efektive, vëllazërore, frymëzuese, përftuese e një solidariteti të shëndoshë, sipas të cilit kuptohen qartësisht epërsitë e së djathtës së Berishës në sinqeritetin për të qenë i gjithë populli në krah të komunitetit europian. Programi i së Djathtës së bashkuar përvetësohet jo vetëm në arritjet që vetëm Edvin Rama nuk ka sy t’i shohë, por veçanërisht në çdo të bëhet, duke filluar nga vullneti i papërmbajtshëm për t’ia arritur kandidaturës së vendit kandidat, pavarësisht nga pengesat e Ramës.
Fatmir Gjoçi e ka lënë paksa pas dore biznesin e tij të suksesshëm në Greqi, i përthithur tërësisht për triumfin e kauzës në të cilën ai beson, për begatinë e popullit, jo për interesat meskine vetjake të një personi që bën premtime të pabesueshme. Në këto dy muaj që po funksionon komiteti i zgjedhjeve, janë ngritur 120 grupe pune në terren, që shtohen përditë. “Fatmiri më tregon një liste të gjatë, - siç shprehet gazetari Garo - që shtrihet në disa faqe, me emra qytetesh, lagjesh e njësish bashkiake në të gjithë Greqinë”. Ai shton se Fatmir Gjoçi ka një interesim të veçantë edhe në ishujt e mëdhenj grekë, si në Kretë, në Rodos, në Mykonos, në Santorini e në Zakinthos: “Më përmend me emër disa emra që u përkasin disa prej koordinatorëve më aktivë në zona të ndryshme të Greqisë. Mua ndërkaq më mbetet vetëm emri i deputetit Tritan Shehu, "profesorit", siç e thërrasin të gjithë këtu koordinatorin e PD-së për emigracionin, i cili rrugën Tiranë-Greqi këto dy muajt e fundit e ka bërë si linjën "Kinostudio-Kombinat" ... Më bën përshtypje të veçantë fakti se demokratët këtu në Greqi nuk preferojnë takime të bujshme, të shoqëruara me të ngrëna e me të pira, nën shoqërimin edhe të këngëve e valleve, siç bën ndonjë parti tjetër. Takimet që organizon PD, të paktën tash për tash, janë me numër të kufizuar e të qëmtuar anëtarësh. Pesë-gjashtë takime në ditë me nga 30-35 persona, me të cilët mund të bisedosh e të diskutosh gjerë e gjatë, janë shumë më të efektshme se tollovitë masive me dy-treqind pjesëmarrës, ku nuk merr vesh i pari të dytin.
Ia vlen që ky shkrim të citohet gjerësisht: “Fatmiri më thotë, se në të gjitha takimet ka parë një entuziazëm e dëshirë të madhe të emigrantëve për të marrë pjesë drejtpërdrejt në procesin e votimit. Për këtë qëllim, po punohet që të sigurohet një numër autobusësh, biletat e të cilëve do të jepen falas, por me datën e kthimit të hapur, në mënyrë që emigrantët të mos shkojnë sa për të hedhur votën, "por të rrinë edhe pak e të festojnë fitoren", - siç më thotë Fatmiri duke buzëqeshur.
Fitorja e një mandati të tretë për PD-në, konsiderohet e sigurt nga shumica e emigrantëve ose, më saktësisht, nga ata që nuk i motivojnë preferencat partiake mbi bazën e tifozërisë. Dhe kjo duket në bisedat e lira me bashkatdhetarët. Por Fatmiri dhe shokët e tij duhet të kenë argumente më të forta, aq më tepër që në takimet që organizon një pjesë e njerëzve nuk janë simpatizantë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës; janë njerëz që duan të kenë një rol në vendimin për fatet e vendit, por që ende nuk e kanë ndarë mendjen se për kë do të votojnë. Argument më i mirë se arritjet e këtyre tetë viteve të qeverisjes së PD-së, nuk mund të gjendet, thotë Fatmiri. Po ai flet edhe për të ardhmen dhe për programin për të cilin njerëzit po krijojnë gjithmonë e më tepër besim. "PD dhe Sali Berisha kërkojnë një mandat të tretë, duke u bazuar në faktet dhe punët e kryera gjatë këtyre tetë viteve që ndodhen në qeverisjen e vendit. Në bazë të reformave që zbatoi që nga viti 2005, Sali Berisha e shndërroi Shqipërinë në një kantier të madh pune. Duke investuar në infrastrukturë moderne, në bujqësi, në energjetikë, e futi vendin në NATO dhe liberalizoi vizat. E solli Shqipërinë më afër integrimit në BE dhe fakti i pamohueshëm është se marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim po pengohet vetëm nga Edi Rama".
Kuptohet se gazetari Robert Garo ka në qendër të intervistës së tij të përkushtuarin Fatmir Gjoçi: - Ai ndalon befas, më sheh drejt e në sy dhe shton: "Ne që jetojmë jashtë e kuptojmë më mirë sesa ka ndryshuar vendi. Prandaj besoj me gjithë shpirt se një tjetër katërvjeçar i PD-së dhe i Sali Berishës, do të vuloste përfundimisht shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar e krejtësisht të denjë për familjen europiane". Fatmiri dhe shokët e vet të shtabit zgjedhor e konsiderojnë një bast me vetveten kontributin e shqiptarëve të Greqisë në fitoren e pritshme të Partisë Demokratike dhe unë mendoj se kanë për ta fituar atë bast.
***
Jam i mendimit se figura të përkushtuara si Fatmir Gjoçi duhet të bëhen të njohura sa më shumë, si elementë frymëzues për punë, që janë të gatshëm të sakrifikojnë e të punojnë me vetëmohim, për ta çuar vendin tonë në një stad të ri, në këtë gjendje kritike kur njerëz egocentrikë, si Edi Rama, të mos lozin në vazhdimësí me ngërçet e njëpasnjëshme që e kanë shndërruar Shqipërinë që të ketë një opozitë, të pangjashme me ato të Bashkimit Europian. Le të gjendet në këtë komunitet një opozitë e dytë si ajo e Edi Ramës, i cili i quan të 20 mijë komisionerët e vet “tradhtarë”. Opozitat homologe në këtë komunitet janë oponentë, por jo të pengojnë zhvillimin. Ato kritikojnë për të ecur përpara, por edhe vlerësojnë për frymëzime të përbashkëta. Cila prej tyre është nihiliste në këtë farë feje, si jona? Cila prej tyre organizon pogrome për mendimin ndryshe, siç bën Rama, si në kohën e Hitlerit ndaj hebrenjve, duke tromaksur për këtë mendim ndryshe, édhe gratë, familjarët e fëmijët, në kërcënime nëpër apartamentet e deputetëve të parlamentit, sepse nuk kanë mendimet e përçartura të një individi, që e ka emrin Edi Rama?
Këto turpe do t’i zgjidhë 23 qershori.