Prammer-Krasniqi: Bashkëpunimi Kosovë-BE pengohet nga "pesëshja"

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, është pritur gjatë ditës së sotme në Vjenë nga kryetarja e Këshillit Nacional të Parlamentit të Republikës së Austrisë, Barbara Prammer. Ajo i ka premtuar kryeparlamentarit Krasniqi se Austria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha drejtimet, veçanërisht në zhvillimin ekonomik dhe proceset integruese në Bashkimin Evropian.
Gjatë një pritjeje që kishte organizuar për delegacionin parlamentar nga Kosova, në krye me Krasniqin, Prammer u interesua në mënyrë të veçantë për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës dhe për dialogun ndërmjet Serbi-Kosovë. “Austria, si dhe shtetet e tjera të BE-së janë të interesuara për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit të Ballkanit Jugperëndimor”, tha ajo.
Nga ana tjetër kryeparlamentari Krasniqi i ka shprehur shqetësimin Prammer se pengesë serioze për bashkëpunimin e gjithanshëm të Kosovës me BE-në, është mosnjohja nga pesë vende të këtij unioni. “Ne presim që edhe këto vende të reflektojnë pozitivisht, duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe duke i hapur vendit tonë mundësi për marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe zhvillimin normal të proceseve integruese evropiane”, ka theksuar Krasniqi, duke kërkuar mbështetje të mëtejshme të Austrisë në këtë drejtim.