Pranga 23-vjeçarit, 100 telefonata ish-të fejuarës për Vit të Ri
Një i ri shqiptar është arrestuar nga policia italiane, pasi akuzohet se ka shantazhuar ish-të dashurën përmes telefonatave dhe mesazheve
Njëqind telefonatat me ish-të fejuarën kanë çuar në pranga një 23-vjeçar shqiptar me banim në Itali. Arrestimi u krye nga policia e Viminales, pas denoncimit të vajzës për shantazhin dhe shqetësimin që i krijonin telefonatat e shpeshta të ish-të fejuarit të saj, natën e ndërrimit të viteve. Sipas mediave italiane, i riu shqiptar kishte pasur një raport sentimental me një bashkëkombësen e tij në vitin 2008, dhe për vajzën gjithçka ishte shndërruar në një ferr. Ai nuk e kishte pranuar fundin e lidhjes dhe vazhdonte ta kërkonte vajzën për ta bindur të vazhdonin historinë. E shqetësuar nga kjo sjellje, vajza kishte ndryshuar edhe qytetin ku banonte nga Verona, në Romë. Në marsin e vitit 2011, ajo e denoncoi djalin dhe gjykata e Veronës urdhëroi 23-vjeçarin t’i qëndronte larg e të mos e kërkonte më as në telefon dhe internet. Por frika nuk e mposhti djaloshin shqiptar, i cili e gjeti vajzën dhe natën e Vitit të Ri i zuri pritën poshtë pallatit, duke mos e lejuar as të dilte për të festuar. Në telefonin e saj mbërritën brenda pak orësh 100 telefonata. Agjentët e policisë mbërritën në hyrjen e pallatit, pasi u telefonuan në numrin e emergjencës dhe gjetën 23-vjeçarin duke studiuar emrat e komshinjve të vajzës tek cetofonia. Policia e arrestoi pikërisht poshtë pallatit të vajzës, ku djali kishte ndalur e po lexonte emrat e cetofonisë me qëllim që të gjente emrin e ish-të fejuarës së tij. Ndërkohë, vajza ishte mbyllur brenda nga frika e takimit me 23-vjeçarin, i cili e përndiqte prej kohësh. I riu shqiptar është arrestuar nga karabinierët dhe akuzohet për veprën penale të shantazhit. Ai e ka kaluar natën e ndërrimit të viteve në qeli, ndërsa nuk dihet ende se ç’masë do të marrë gjykata për ta penguar atë t’i afrohet ish-të fejuarës shqiptare që e denoncoi.