E Diel, 1 Nëntor 2026

Djali i Remzi Hoxhës: Hetim Gjykatës së Lartë, pengoi ekstradimin e Kumbaros

SHKRUAN: Leonard Bakillari 05-01-2012 14:15

Ardian Hoxha i kërkon presidentit Bamir Topi, por edhe krerëve të drejtësisë në vend, të nisin një hetim për Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë. “Zbardhën me vonesë vendimin për Kumbaron, duke i lënë shteg arratisjes së tij në Londër”

Tiranë Djali i biznesmenit Remzi Hoxha, i zhdukur 16 vjet më parë, i kërkon Presidentit të Republikës të urdhërojë nisjen e hetimeve për Gjykatën e Lartë, që, sipas tij, është bërë pengesë për mosekstradimin e Ilir Kumbaros. Në një letër të hapur, drejtuar krerëve të drejtësisë dhe ambasadorëve të huaj në Shqipëri, Ardian Hoxha shprehet se Gjykata e Lartë dhe kryetarja e saj nuk kanë zbardhur në kohë vendimin për masën e arrestit të Ilir Kumbaros, duke i krijuar kështu mundësinë për t’u arratisur nga Britania e Madhe. Në letrën drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe për dijeni ministrit të Drejtësisë, Prokurores së Përgjithshme, ambasadorëve Arvizu, Sequi dhe Wollfarth, djali i biznesmenit thotë se Gjykata e Lartë ka kryer shkelje flagrante duke mos zbardhur në kohë vendimin e marrë nga ky institucion. “Ju lus që të urdhëroni një hetim dhe procedim penal për shkeljet flagrante që Kolegji Penal dhe Gjykata e Lartë, me në krye Shpresa Beçajn, kanë bërë duke mos zbardhur vendimin e datës 14 tetor 2011, në lidhje me masën e arrestit të Ilir Kumbaros “arrest me burg”, gjë që më pas i mundësoi të arratisej nga drejtësia e Britanisë së Madhe”- thotë në letrën e hapur djali i biznesmenit të zhdukur. Sipas tij, gjatë këtyre viteve ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të penguar zbardhjen e kësaj ngjarjeje, edhe pse kanë kaluar 16 vjet nga rrëmbimi në punishten e tij të biznesmenit Remzi Hoxha. “Fillimisht u pengua nga Bashkim Gazidede dhe vartësit e tij Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Budjon Meçe dhe të tjerë, duke zhdukur të gjitha dosjet dhe gjurmët për të cilat ata ishin në dijeni. Më pas nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke i emëruar po këta njerëz në krye të institucioneve më të larta shtetërore. Kurse në rastin e fundit, edhe nga Kolegji Penal dhe Kryetarja e Gjykatës së Lartë”- thotë Ardian Hoxha. Duke sqaruar, sipas tij, neglizhencën e Gjykatës së Lartë dhe përpjekjet për të penguar zbardhjen e ngjarjes, Ardian Hoxha shprehet se më 14 tetor 2011 Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë morën vendim që masa e sigurisë “arrest me burg”, e caktuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ndaj Ilir Kumbaros, më 5 janar 2010, të mbetet në fuqi. “Ky vendim i hapte rrugën ekstradimit të Ilir Kumbaros në Shqipëri në seancën e 1 nëntorit 2011. Mirëpo, edhe pse ligji kërkon vetëm 2 javë për zbardhjen e vendimeve, Gjykata e Lartë e Shqipërisë nuk e shpalli zyrtarisht vendimin për më tepër se 2 muaj, gjë që fillimisht bëri që seanca të shtyhej për datën 1 dhjetor, e më pas ia dha mundësinë e arratisjes së të implikuarit kyç Ilir Kumbaro”- thuhet në letrën drejtuar Presidentit të Republikës, duke kërkuar nisjen e hetimeve ndaj Gjykatës së Lartë. Remzi Hoxha u rrëmbye në Tiranë në tetor të vitit 1995 nga punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar. Në rrethana ende të paqarta ai u zhduk dhe sot pas 16 vitesh nuk dihet ende fati i tij.

Arratisja e Ilir Kumbaros nga Londra

Për zhdukjen e Remzi Hoxhës në vitin 1995, Prokuroria ka akuzuar ish-zyrtarët e SHIK, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budion Meçe. Kumbaro, një prej personave që sipas prokurorisë ka pasur rol të rëndësishëm në këtë operacion të SHIK, rezulton të jetë arratisur nga Britania e Madhe ku ndodhej në një proces gjyqësor lidhur me ekstradimin në Shqipëri. Ish-zyrtari i lartë i SHIK u arratis vetëm një ditë para se gjykata londineze të shpallte vendimin lidhur me ekstradimin e tij për t’u përballur me akuzën e ngritur nga Prokuroria për Krime të Rënda në Tiranë. Edhe pse u shpall në kërkim nga një gjykatë në Londër, Ilir Kumbaro nuk është gjetur ende nga policia britanike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›