E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryekufitari Remaçka: Sportele shtesë për të përballuar fluksin

Kthimi i shqiptarëve në vendet e punës në Greqi, kalon pa radhë dhe problem në Kakavijë, ndërsa policitë kufitare punojnë me personel të shtuar

Kakavijë-Pasi kanë kaluar festat e fundvitit në vendlindje, bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Greqi kanë nisur rrugën e kthimit në drejtim të shtetit fqinj. Aktualisht, të dyja policitë shqiptare dhe greke janë angazhuar maksimalisht që emigrantët të mos ndeshin radhë pritjeje në kufi. Në një intervistë për gazetën “MAPO”, drejtori rajonal i Policisë Kufitare, Thimi Remaçka shpjegon masat e marra nga policia shqiptare, si dhe nivelin e bashkëpunimit me homologët grekë të kufirit për shmangien e radhëve të pritjes për emigrantët.

Zoti Remaçka, cila është situata e lëvizjes në të dyja anët e kufirit në stacionin kufitar të Kakavijës ?

Tashmë është bërë traditë që në periudhën e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri fluksi i këmbësore dhe automjeteve, përfshirë edhe shtetasit e huaj, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës rritet ndjeshëm. Në javët e fundit të vitit që lamë pas, por edhe këto ditë të para të vitit 2012, në Kakavijë ka pasur lëvizje të konsiderueshme, si në hyrje në tokën shqiptare, ashtu edhe në dalje. Po t’u referohemi shifrave, gjatë periudhës së festave kanë udhëtuar nga Greqia nëpërmjet Kakavijës 30 % më shumë persona dhe automjete krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Karakteristikë e kësaj periudhe është se, në qoftë se vitet e tjera ka pasur më shumë lëvizje ose fluks nga shteti fqinj për në Shqipëri, gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri që porsa lamë pas, ka pasur lëvizje të konsiderueshme në të dy krahët, si në hyrje për në vendin tonë, ashtu edhe në dalje për në Greqi. Mesa duket ky fakt lidhet edhe me liberalizimin e vizave. Falë lëvizjes së lirë, njerëzit janë më të lirshëm për të udhëtuar, për të shkuar tek njerëzit e tyre jashtë vendit.

Çfarë masash ka marrë Policia Kufitare për të shmangur radhët e pritjes në kufi ?

Ne si Polici Kufitare, gjithmonë në këto raste, sepse parashikohet dyndje, marrim edhe masat tona. Përpara se të niste sezoni i festave të fundvitit, ne kemi hartuar një plan të veçantë masash dhe një program pune. Kemi rritur efektivin në sportelet e kontrollit të Stacionit Kufitar të Kakavijës. Nëse në ditët normale kemi 5 punonjës kontrollorë, gjatë këtyre ditëve numri i punonjësve arrin deri në 10 të tillë. Madje për të shmangur radhët e pritjes si gjatë hyrjes në Shqipëri, ashtu edhe tani në dalje, krahas kabinave të zakonshme të kontrollit kemi vendosur në funksion edhe sportelet rezervë. Bëhet fjalë për vende të përshtatshme në mjediset e stacionit kufitar të Kakavijës që nëse ka rritje të fluksit, mjetet e mëdha dhe autobusët e udhëtarëve përpunohen nga sportelet rezervë që funksionojnë në këto mjedise. Krahas masave për përballimin pa probleme të fluksit të lëvizjes në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, po bashkëpunojmë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë lëvizjes tranzit të emigrantëve.

Cili ka qenë niveli i bashkëpunimit me palën greke ?

Mund të them se me palën greke kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë në lidhje me shmangien e radhëve në kufi. Kontaktet mes dy policive janë shpeshtuar më shumë tani, kur gjatë rrugës së kthimit emigrantët tentojnë të dynden njëkohësisht në doganën e Kakavijës. Ne kemi bashkëpunuar dhe kemi marrë takime me palën greke, që edhe ata t’u përgjigjen masave tona që të punojnë më shpejt, të mos ketë vonesa, të punojnë gjatë gjithë kohës si dhe të parandalojnë defektet e kompjuterave, që fluksi i lëvizjes të ketë rrjedhshmëri si në anën tonë, ashtu edhe në tokën greke. Në takimet që kemi pasur me drejtues të policisë greke të Kakavijës dhe Janinës, ata kanë pasur një predispozicion të mirë që duket edhe gjatë ditëve të fundit. Aktualisht ata kanë rritur numrin e sporteleve krahasuar me ditët e zakonshme në 5 të tillë, çka ka bërë që emigrantët gjatë rrugës së kthimit për në Greqi të mos ndeshin probleme në kufi.

Bisedoi : Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›