E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 51-vjeçarit, vrau për një borxh të pashlyer producentin e filmave

TIRANE - Arrestohet i shumëkërkuari për vrasje. Policia e Tiranës ka vënë në pranga ditën e djeshme 51-vjeçarin, Halit Shahini, i cili në 12 shkurt të këtij viti ka plagosur me një plumb në kokë 55-vjeçarin, Bujar Barçi, i cili për shkak të plagëve që kishte marrë, ndërroi jetë disa ditë më vonë në Spitalin Ushtarak. Sipas policisë, viktima prej katër vitesh i detyrohej një shumë parash borxh autorit të ngjarjes. Mësohet se Halit Shahini, ish-truproja i një ish-ministri është takuar me borxhliun e tij, Bujar Barçin, producent i disa filmave shqiptarë dhe ndërkohë mësohet se i ka kërkuar që t’i kthente paratë, por në atë kohë ka nisur konflikti dhe Shahini ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar 55-vjeçarin.

Policia bën me dije se pas ngjarjes, ish-truproja është larguar menjëherë me makinë nga vendi i ngjarjes, deri sa është arrestuar ditën e djeshme. Ndërkohë, policia sqaron se 51-vjeçari, Halit Shahini ka qenë edhe më parë i dënuar, pasi në maj të vitit 2005 ka rrahur për vdekje rojën e një banke në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pas një grindjeje për vendin e parkingut. Për këtë arsye, Shahini u dënua nga Gjykata e Tiranës me një vit e dy muaj burg, me akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Sipas vendimit të gjykatës, më 25 maj 2005, kur Shahini ishte me detyrë truprojë i një prej ministrave të qeverisë së asaj kohe, është arrestuar për vrasje nga pakujdesia.

Mëngjesin e asaj dite, Halit Shahini ka parkuar automjetin e tij tip “BMW” buzë trotuarit, përballë një banke të nivelit të dytë. Ky vend parkimi ruhej nga viktima Besnik Pashaj, i cili i është afruar autorit për të mos e lejuar të parkonte, gjë që ka shkaktuar konfliktin mes tyre dhe autori ka goditur me grusht rojën, i cili ka rënë nga trotuari dhe është përplasur me kokë në asfaltin e rrugës.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›