Partizani fiton në limitin e takimit, Superliga tani vetëm një hap larg
Një gol i Endri Lalës në fundin e takimit ndaj Mamurrasit i ka dhënë tri pikë të vyera ekipit të Partizanit, që ka vuajtur jo pak dje në stadiumin "Qemal Stafa". Të kuqtë kanë arritur të mbajnë diferencën prej pesë pikësh me ndjekësin më të afërt, që është Pogradeci. Tashmë rivali i vetëm për vendin e dytë për Partizanin mbeten liqenorët, por optimizmi i krijuar dhe kalendari në vijim të bën të besosh se ngjitja në Kategorinë Superiore thuajse është realizuar. Sa i takon ndeshjes së mbrëmshme, në fillim ka shënuar Partizani dy herë me Malon, pastaj ka shkurtuar diferencën e golave Mamurrasi dhe 2-1 është mbyllur pjesa e parë. Në pjesën e dytë miqtë barazojnë dhe në minutën e 89-të Lala i jep fitoren ekipit të Partizanit. Javës tjetër të kuqtë e Hasan Likës do të ndeshen në transfertë me Gramshin, por që për fat të Partizanit, do të luhet në fushë asnjanëse dhe Partizani i ka të gjitha shanset për të marrë edhe tri pikë të tjera.
(a.k/A.Latifi/BalkanWeb)
(a.k/A.Latifi/BalkanWeb)