E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga çifiti, grabitën 67 mijë euro

Një person dhe e dashura e tij punonjëse e një agjencie udhëtimesh dyshohen për vjedhjen e parave


Vajza spiunoi lëvizjen e koleges. I dashuri me persona të tjerë e sulmuan dhe i morën çantën


TIRANE- Punonjësja e agjencisë së udhëtimeve i grabit koleges së punës çantën me 67 mijë euro të nisur për depozitim në llogarinë bankare të agjencisë. Rodrik Malaj, 23 vjeç, nga Vlora me banim në Tiranë, u arrestua nga policia e komisariatit nr.2, në kryeqytet, si i dyshuar për vjedhjen me dhunë të sasisë prej 67 mijë eurosh, punonjëses së një agjencie udhëtimesh, në rrugën "Abdyl Frashëri". Veç Malajt, policia dyshohet se kanë marrë pjesë edhe persona të tjerë, të cilët policia po i heton.


Kjo e fundit mësohet se ka qenë duke transportuar sasinë e parave në drejtim të një filiali të një banke të nivelit të dytë në vend, ku duhej t'i depozitonte në llogarinë e agjencisë për të cilën transportuesja punonte.


Punonjësja, u sulmua nga persona të panjohur prej saj, që duke përdorur dhunën mundën t'i merrnin vajzës rreth 30- vjeçare, çantën në të cilën ajo kishte depozituar shumën e majme të parave. Ato mendohet se ishin pjesë e xhiros së agjencisë së udhëtimeve të mbledhura nga shitja e biletave të udhëtimeve për jashtë vendit gjatë ditëve të fundit përpara liberalizimit të vizave.


Veç arrestimit të 23 vjeçarit Malaj, policia arrestoi edhe të dashurën e tij, Gerta Mezuraj, 21 vjeçe nga Lezha me banim në Tiranë. Vajza 21- vjeçare, sipas burimeve të policisë, ka pasur informacion mbi lëvizjen e parave, pasi ishte kolege me të dëmtuarën.


Policia thotë se ka provuar përfshirjen e vajzës 21- vjeçare nga Lezha në grabitje, pasi ka zbuluar se kjo e fundit ka informuar të dashurin e saj, mbi lëvizjen e shumës së majme të parave nga zyrat e agjencisë në drejtim të një filiali të afërt të një banke aty.


Grabitja


Të martën pasdite, policia e komisariatit nr.2, në kryeqytet, u njoftua se një person i paidentifikuar i kishte marrë me dhunë çantën një vajze e cila pretendonte se kishte pasur në të 67 mijë euro. Paratë ishin pjesë e fitimeve dhe e xhiros së agjencisë. Fillimisht policia u tregua dyshuese ndaj denoncueses nga frika e ndonjë mashtrimi të mundshëm të saj.


Gjithsesi më pas nga rrëfimi i hollësishëm i vajzës dhe rrjedhshmëria e saj, hetuesit u bindën dhe ngritën dyshimet e para. Sipas vajzës, personi që i kishte dalë përpara kishte qenë i paidentifikuar, ndërsa ajo kishte dhënë përshkrimin e autorit, duke dhënë gjatësinë e përafërt të tij, dialektin si dhe veshjen.


Pas deklarimit të marrë prej saj, policia nisi verifikimet për të mësuar se cilët kishin qenë personat që kishin pasur dijeni për sasinë e parave. Ndër ta, ishte edhe e arrestuara Mezuraj, kolegia tjetër e agjencisë ku punonte e dëmtuara.


Ndaj saj kanë rënë dyshimet kryesore dhe ajo është pyetur me hollësi nga hetuesit ndërsa për orë të tëra ajo është pyetur dhe më pas verifikuar deklarimet e saj. Në fund hetuesit kanë mundur të thyejnë rezistencën e vajzës.


Ajo ka pranuar se kishte njohje me një person nga Vlora me të cilin qëndronte. Verifikimet e tjera të policisë zbuluan rrethana të dyshimta të vendndodhjes së tij dhe gjatë shoqërimit e marrjes së tij në pyetje u zbuluan paratë.


Policia tha se po kërkonte edhe persona të tjerë që mendohet se janë përfshirë në këtë krim. Ndaj dy të arrestuave policia referoi në prokurori akuzën e vjedhjes me dhunë në bashkëpunim dhe bashkëpunimit në krim.


67 mijë euro, kishte në çantë të martën pasdite në momentin që punonjësja e agjencisë së udhëtimeve, u sulmua nga disa persona të cilët duke përdorur dhunën mundën t'i merrnin asaj çantën me shumën e majme të parave


2 persona, një djalë e një vajzë, që sipas policisë janë të dashuruar u arrestuan nga komisariati nr.2, pas vjedhjes me dhunë të çantës me para që kishte punonjësja e një agjencie udhëtimesh në rrugën "Abdyl Frashëri".


Dyshimet e para të hetuesve për vjedhjen e parave, ranë mbi kolegen e agjencisë e cila ishte ndër të paktët njerëz që kishte marrë dijeni për transfertën e shumës së eurove nga zyrat e agjencisë, në drejtim të filialit të një banke në kryeqytet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›