Pranga ish presidentit te klubit të Lushnjes për trafik droge
TIRANË- Ish presidenti i skuadrës së Lushnjes, ka përfunduar në pranga. Lajmin e bëjnë me dije burimet policore, sipas të cilave, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar ka kapur në Tiranë shtetasin Manoli Irfan Bega, 39 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, me aktivitet privat, i njohur edhe me emra të tjerë si: Edmond Bego, Saimir Sina dhe Belul Gjahtari.
Sipas policisë, ndaj tij u ekzekutua masa e sigurisë "arrest në burg", vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për efekt të njohjes së Vendimit Penal të Gjykatës së Apelit në Torino-Itali, që e ka gjykuar dhe dënuar në mungesë me 13 vjet burg.
Ai është akuzuar dhe dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda si mbajtja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë.
"Veprimtaria ku ai është i përfshirë përmban elementet e organizatës kriminale ku bënin pjesë dhe Aldo Bare, Enver Dondollaku, etj, ku ai ka qenë përcaktues në mbajtjen e lidhjeve me furnizuesit, koordinonte aktivitetin e pjestarëve të tjerë të organizatës dhe orientonte mënyrën e shpërndarjes dhe administrimit të parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike"- thonë burimet zyrtare të policisë.
Sipas tyre, vazhdon puna për zbardhjen në tërësi të aktivitetit të tij kriminal dhe pasuror.