Fushë-Krujë, hidhet në erë ura, fabrika e çimentos në “shtetrrethim”
Vazhdon lufta e tritolit rreth fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, duke shkatërruar urën nga kalonin punonjësit. Banori Kapllani: ‘Është bërë për të ikur nga ky vend’. Policia: ‘Dyshojmë për hakmarrje, pas ndërprerjes së lekëve për ndotjen.’
Fushë-Krujë Tri ditë pas hedhjes në erë të shtyllave të tensionit të lartë, që furnizojnë me energji fabrikën e çimentos, një sasi tjetër eksplozivi ka shkatërruar një urë në Fushë-Krujë. Ura e shkatërruar mëngjesin e djeshëm ndodhet në afërsi të banesave, e megjithatë, ky fakt nuk i ka penguar autorët ende të paidentifikuar të vendosin një sasi eksplozivi, duke e shkatërruar atë. Tritoli është vendosur në lagjen e Taleve në Fushë- Krujë, në afërsi të shkollës. Bëhet fjalë për një rrugë dytësore, të cilën administrata e fabrikës e kishte shfrytëzuar pas hedhjes në erë të urës së Larushkut, disa ditë më parë. Punonjësit e fabrikës lëviznin me furgonë nëpërmjet kësaj ure, duke përdorur rrugën dytësore. Policia lokale bëri me dije se eksplozivi është vendosur në orën 2:30 minuta të mëngjesit të djeshëm, ndërsa nga shpërthimi janë dëmtuar edhe banesat që ishin në afërsi të saj. Sipas Veli Kapllanit, banor i fshatit Zallë, këto shpërthime e kanë bërë jetën të rrezikshme në këtë vend. “Është bërë për të ikur nga ky vend. Kemi që nga janari e deri tani, që nuk bëjmë gjumë të qetë nga shpërthimet. Është e patolerueshme që policia ende nuk ka arritur të zbulojë autorët që vendosin eksplozivë”, - thotë i shqetësuar ai. Kapllani ka bërë thirrje që këto akte terroriste në seri të dënohen, pasi po terrorizojnë banorët e po dëmtojnë banesat. “E kur një gjë e tillë përsëritet, kjo tregon paaftësi të policisë, kur ne aty i kemi shpresat, për të na siguruar rendin e qetësinë” - ankohet më tej banori i Fushë-Krujës. Pas shpërthimit të djeshëm në urë, policia ka nisur hetimet, por ende nuk ka asnjë emër të shpërthimet me eksploziv. Ndërkohë që punonjësve të fabrikës u ka mbetur tashmë vetëm një rrugë hyrëse, që është nga fshati Borizan i Krujës. Pas shpërthimit të djeshëm, burime zyrtare të policisë së Fushë-Krujës bëjnë të ditur se në Krujë kanë mbërritur forcat speciale të antiterrorit, por edhe specialistë të Krimeve të Rënda si dhe drejtues të policisë së Durrësit. Ndërkohë, përveç dyshimeve të hershme të implikimit në ngjarje të pronarëve të tokës ku është ngritur fabrika, në “sitën” e hetimit janë të gjithë banorët e zonës të cilëve u është ndërprerë dëmshpërblimi i lekëve për ndotjen, që drejtuesit e fabrikës u kanë dhënë deri pak kohë më parë. Një pistë tjetër që po hetohet është edhe konkurrenca mes fabrikave të çimentos në Fushë-Krujë. Burimet shprehen se në fabrikë tashmë janë vënë edhe kamera vëzhgimi, por kjo masë vetëm sa ka zhvendosur rrethin e veprimit: jo më rreth fabrikës, por te shtyllat e tensionit apo rrugët lidhëse.
Sulmet me tritol, heshtin
drejtuesit e fabrikës
Situata e paprecedentë, e krijuar prej muajsh në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë, nuk ka sjellë asnjë reagim të drejtuesve të saj. Edhe gjatë ditës së djeshme, asnjë nga drejtuesit e kësaj fabrike nuk ka pranuar të komentojë ngjarjet, por banorë të zonës pohojnë se shkak i shpërthimeve është ndërprerja e parave për ndotjen e zonës.
Precedentët
3 maj
Një shpërthim ndodhi në orët e vona të mbrëmjes në Fushë-Krujë. Shpërthimi me tritol ka qenë në fabrikën e çimentos. Sipas policisë, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 21:30 minuta të mbrëmjes.
22 prill
Shpërthim me tritol në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 të mbrëmjes, nuk pati të plagosur. Policia nuk identifikoi asnjë autor për ngjarjen.
18 prill
Shpërthim në fabrikën e çimentos në orët e paradites, në ambientet e jashtme. U mësua se lënda shpërthyese ishte vendosur në një makineri brenda në fabrikë. Pati vetëm dëme materiale.
8 prill
I vihet tritol urës hekurudhore në Fushë-Krujë. Ngjarja ndodhi në 2:00 të mëngjesit, në vendin e quajtur Ura e Gjolës, ku si pasojë u dëmtua linja e trenit të mallrave që të çon drejt fabrikës së çimentos.
25 mars
Hidhet në erë me tritol një shtyllë e tensionit të lartë e linjës 220 kilovolt, Koman-Elbasan. Objekti furnizonte me energji edhe fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë.