E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga për kontrabandë bashkiakut të Kamzës

Mëhill Hasani, është arrestuar se tentoi të fuste me pretekstin e bamirësisë një sasi këpucësh që në të vërtetë do të shiteshin


Denoncimi u bë nga Dogana e Tiranës, pas konfirmimit se një nga dokumentet e paraqitura ishte i falsifikuar

TIRANË- Nënkryetari i Këshillit Bashkiak në Kamëz, Mëhill Hasani, arrestohet nga Policia e kryeqytetit me akuzën e falsifikimit dhe të kontrabandës.


Antikrimi Ekonomik i Policisë së Tiranës, përveç zyrtarit të Bashkisë së Kamzës ka arrestuar po për të njëjtat akuza edhe drejtuesin e shoqatës "Bujaria Shqiptare", Kasem Skera. Skera, 62 vjeç, nga Tirana dhe Mëhill Hasani, 47 vjeç, nga Shkodra banues në Bathore, sipas policisë, janë dy personat e arrestuar gjatë ditës së djeshme.


Lajmi për arrestimin e dy të lartpërmendurve është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, ku nga të njëjtat burimet mësohet se arrestimi i tyre u krye sepse dyshohet se këta persona kanë paraqitur dokumente të falsifikuara, për të futur kontrabandë 2 ton këpucë me pretendimin se do të përdoreshin për qëllime humanitare.


Përveç arrestimit të të lartpërmendurve, policia ka sekuestruar edhe gjithë sasinë e këpucëve, që në total shkonte në rreth 180 mijë palë, ku në dokumentacionin e paraqitur për kalimin e mallit, mësohet se është pretenduar nga dy pronarët që e kanë sjellë nga Gjermania, se do të vihet në dispozicion të Bashkisë Kamëz për t'iu shpërndarë banorëve për qëllime humanitare.


Nga hetimet paraprake në lidhje me kalimin kontrabandë të mallit, mësohet se dy personat e arrestuar kanë shmangur detyrimin doganor prej 23 milionë lekësh, që duhej të ishte paguar gjatë procedurave të zhdoganimit.


"Dokumentacioni i paraqitur , është bllokuar menjëherë nga Drejtoria e Doganës Tiranë, pasi dy personat e arrestuar, dyshohej se kanë dorëzuar një praktikë doganore me dokumente të falsifikuara, për mallra të përdorura, duke i paraqitur ato si mallra për ndihmë humanitare, duke qenë se ato përjashtohen nga detyrimet doganore,- thuhet në reagimin zyrtar të Policisë së Tiranës, në lidhje me arrestimin e dy personave që dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të "falsifikimit të dokumenteve" dhe "kontrabandës me mallra të tjera" e kryer në bashkëpunim.


Mësohet se policia po heton nëse shoqata "Bujaria Shqiptare" ka kaluar mall tjetër kontrabandë, pasi nga të dhënat e rezervuara që jep policia, dyshohet se kjo shoqatë mund të ketë kaluar edhe në raste të tjerë mallra të ndryshëm kontrabandë.


Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit në pikën doganore në Tiranë, rreth orës 12 00, janë paraqitur dy të arrestuarit, njëri në emër të shoqatës humanitare "Bujaria Shqiptare" dhe tjetri në emër të Këshillit Bashkiak të Kamzës, për të kryer procedurat për zhdoganimin e ngarkesës prej 20 ton këpucë të përdorura.


Shoqata kishte nisur procedurat për të përfituar autorizimin për përjashtim nga taksat dhe ka paraqitur një kërkesë të kryetarit të Bashkisë Kamëz, i cili kërkonte lejimin e kësaj ngarkese të pretenduar si ndihmë humanitare për banorët e bashkisë së tij. Drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Doganës Tiranë kanë hedhur dyshimet për vërtetësinë e dokumentacionit që ishte paraqitur për të kaluar mallin pa detyrimet doganore.

"Më rrahu djalin se dyshonte për hekurin ndaj e godita me thikë"

"Vrasësi" i biznesmenit pranon krimin


TIRANË- I arrestuari për Vrasjen e biznesmenit të hekurit në Sauk, pranon krimin ndërsa pohon se viktima i kishte rrahur me hekur të birin. Një fakt i tillë është pohuar për "Shekullin", nga burime të policisë së kryeqytetit të cilët pas arrestimit kanë marrë në pyetje autorin e krimit në ambientet e drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.


Shaban Allaraj, 52 vjeç, ka pohuar se vazhdimisht kishte shitur hekur tek Tafani, ndërsa ka pretenduar se nuk i kishte vjedhur asnjë herë skrap atij. Sa i përket vrasjes me thikë të tij, Allaraj ka pranuar veprimin e kryer duke pohuar se i biri ishte rrahur me hekur dhe sende të forta nga Ylli Tafani.


Për këtë ai ka pohuar se ishte revoltuar dhe kishte marrë thikën duke e goditur me thikë atë në bark. Vrasja e biznesmenit të skrapit, ndodhi në orët e mbrëmjes së ditës së mërkurë, ku Ylli Tafani, 58 vjeç, u qëllua disa herë me thikë, nga Shaban Allaraj, 52 vjeç me banim në Sauk, pas një sherri, ku shkak është bërë djali i autorit të dyshuar të ngjarjes.


Disa minuta pas vrasjes me thikë të Tafanit që, është arrestuar dhe personi që dyshohet të ketë kryer krimin, në banesën e tij, disa metra larg vendit ku ndodhi krimi, pranë godinës së Komunës Farkë.


Ndërkohë, pas arrestimit, Shaban Allaraj është marrë në pyetje për të shpjeguar shkaqet që e kanë çuar drejt kryerjes së krimit.


Nga burimet e policisë mësohet se 52- vjeçari Allaraj, lindur në Kukës dhe banues në Sauk e ka pranuar autorësinë e krimit. Sipas dëshmitarëve të sherrit me pasojë një të vdekur, çdo gjë ka nisur kur viktima kishte konstatuar se djali i personit që dyshohet të ketë kryer vrasjen, i kishte vjedhur një sasi hekuri.


Më pas ky i fundit ka tentuar t'ia shesë përsëri Tafanit, por kur është paraqitur për ta dorëzuar mësohet se viktima e ka qëlluar për veprimin që kishte bërë. Ka qenë pikërisht kjo zanafilla e sherrit midis Ylli Tafanit dhe Shaban Allarajt, sher që u mbyll me vdekjen e biznesmenit të skrapit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›