E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Diplomati” shqiptar me 1 kile kokainë

 

Trazhgim Sokolaj

Dokumenti i identifikimit ku shkruhej “përfaqësues diplomatik” nuk i ka zmbrapsur agjentët e Hetimit të Krimit të Organizuar në Milano, nga këmbëngulja për të kontrolluar bagazhin e makinës së shoferit të ambasadës shqiptare në Romë, Arsen Selmanllari. Mëngjesin e së dielës, ai ndodhej bashkë me të fejuarën e tij në makinën me targa diplomatike në një parking në autostradën në dalje të Milanos, kur agjentët e policisë italiane kërkuan të bëjnë një verifikim. Nervozizmi i shfaqur prej “diplomatit” shqiptar gjatë kohës që agjentët e policisë italiane po kontrollonin dokumentet, i ka nxitur hetuesit të dyshojnë. Ata kanë kërkuar të kontrollojnë bagazhin e makinës së 33-vjeçarit nga Kukësi, Arsen Selmanllari, por ky i fundit ka replikuar duke u thënë policëve se ishte me imunitet, madje duke u treguar dokumentin me mbishkrimin “përfaqësues diplomatik”. Agjentët e policisë italiane kanë gjetur në bagazhin e makinës së shoferit të shërbimeve në ambasadën shqiptare në Romë, dy qese që përmbanin një sasi prej 1 kilogramë kokainë. Policia ka bllokuar menjëherë çdo veprim të shoferit të ambasadës shqiptare dhe të fejuarës së tij 34-vjeçare, që punonte kameriere në një bar në Romë. Njësia GOS e Hetimit të Krimit të Organizuar në policinë italiane është lidhur me Ministrinë e Brendshme dhe kjo e fundit me ambasadën shqiptare në Romë. Ambasadori ynë atje ka liruar nga imuniteti diplomatik shoferin 33-vjeçar, duke i hapur rrugë arrestimit të tij me akuzën e trafikimit të drogave të forta. Pak orë më pas, Ministria e Jashtme në Tiranë ka shkarkuar nga të gjitha funksionet shoferin e ambasadës shqiptare në Romë, i cili është arrestuar në flagrancë në kushtet e mungesës së imunitetit diplomatik. Menjëherë pas arrestimit të Arsen Selmanllarit në lokalitetin Lambrate të Milanos, policia ka bllokuar edhe makinën e ambasadës shqiptare në Romë, mjeti me targa diplomatike në të cilën është gjetur kokaina. Më pas, përfaqësia diplomatike e Shqipërisë në Romë, sqaroi se shoferi 33-vjeçar kishte marrë të dielën makinën me targa diplomatike pa lajmëruar stafin e ambasadës për këtë veprim të tij. Lënda e kokainës është gjetur në dy qese natribani në bagazhin e makinës së ambasadës shqiptare, ndërsa dukej se nuk ishte bërë asnjë përpjekje për fshehjen e lëndës narkotike, siç duket nga përshtypja e shoferit se askush nuk do të guxonte të kontrollonte automjetin me targa diplomatike. Shoferi i shërbimit në ambasadën tonë në Romë, Arsen Selmanllari është shoqëruar në paraburgim bashkë me të fejuarën e tij. Drejtori i Sektorit të Antimafias rajonale në Milano, Marcelo Musso, ka kërkuar që të dy shqiptarët të mbeten në burg deri në fund të hetimit. Një masë e tillë është miratuar nga gjykata e Milanos, ku Selmanllari ka kërkuar lirimin e të fejuarës së tij, duke pretenduar se ajo nuk ka pasur dijeni për kokainën që u gjet në makinën me targa diplomatike. Edhe vetë shoferi mësohet se ka mohuar të kishte dijeni për drogën, megjithatë sipas të dhënave të konfirmuara mësohet se kontrolli në makinën e tij nuk ka qenë i rastësishëm, por rrjedhë e një hetimi që zhvillohej prej disa kohësh. Shoferi i arrestuar në Milano kishte dy vite që punonte me trupin diplomatik të ambasadës shqiptare në Romë.

Ministria e Jashtme: Shkarkuam menjëherë shoferin e arrestuar
TIRANE – Ministria e Jashtme në Tiranë reagoi dje me një sqarim publik vetëm pak orë pas transmetimit në media të lajmit për arrestimin e shoferit të ambasadës tonë në Romë, me një kilogramë kokainë në makinë. “Pas njoftimit nga autoritetet italiane, pala shqiptare ka kërkuar që personi Arsen Selmanllari të trajtohet pa koperturë (mbrojtje) diplomatike”, thuhet në deklaratën e Ministrisë shqiptare të Jashtme të bërë publike dje në mbrëmje. Sipas reagimit të dikasterit diplomatik në Tiranë, “menjëherë është pushuar personi nga puna dhe i është komunikuar formalisht palës italiane pushimi dhe heqja e çdo privilegji diplomatik të personit”, tha Ministria e Jashtme në deklaratën e saj. “Ministria e Punëve të Jashtme po përgatit kallëzimin e vet ndaj personit në fjalë”, përfundon deklarata e dikasterit diplomatik shqiptar në Tiranë, lidhur me arrestimin e shoferit të shërbimit të ambasadës shqiptare në Romë. Arsen Selmanllari mësohet se ishte punësuar si shofer në përfaqësinë diplomatike të Shqipërisë në Romë prej dy vitesh. Sipas policisë, 33-vjeçari nga Kukësi plotësonte kriteret e emërimit në kohën kur mori detyrën. Ai jetonte me dokumente të rregullta qëndrimi në Itali, ndërsa ishte fejuar me një vajzë që punonte si kameriere në një bar në Romë, me të cilën u arrestua pas zbulimit të kokainës në makinë, mëngjesin e të dielës. Autoritetet shqiptare mësohet se kanë filluar bashkëpunimin me palën italiane, me qëllim hetimin e plotë të rastit si dhe zbardhjen e ngjarjes. Në policinë shqiptare mbrëmjen e djeshme kishte mbërritur edhe buletini i policisë italiane, që lajmëronte për arrestimin e Arsen Selmanllarit dhe rrethanat në të cilat ai është vendosur në pranga. t.s      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›