Prangosen tre trafikantë femrash, i shisnin në Kosovë
Të akuzuarit mbajtën peng dhe përdhunuan në një lokal në kryeqytet, tri vajza nga Elbasani dhe Lezha me qëllim që t'i shfrytëzonin
Prokuroria shpall në kërkim dy persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të të arrestuarve
TIRANË- Zyra e hetimit të trafiqeve në kryeqytet me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda prangosi 3 vetë dhe shpalli në kërkim dy të tjerë, të dyshuar për "përdhunimin" e një të miture dhe dy vajza të tjera, që më pas do shiteshin në Kosovë për prostitucion.
Lajmi konfirmohet nga burime të hetimit, sipas të cilëve, mbrëmjen e të shtunës u arrestuan: Zylyftar Tare, 26 vjeç, Ilir Saraçi, 26 vjeç dhe Agron Sinani, 27 vjeç, ndërsa u shpallën në kërkim edhe dy bashkëpunëtorë të tyre.
Ndaj tyre, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur dyshime për veprat penale të "marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura" në një rast; "marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura" në dy raste, si dhe akuzën e "trafikut të femrave me qëllim prostitucionin", në bashkëpunim.
Mësohet se dosja po hetohet nga prokurorja Elisabeta Imeraj që prej 10 korrik 2010, kur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u regjistrua procedimi i referuar nga zyra e Antitrafiqeve në Policinë e Tiranës.
Arrestimi i të dyshuarve është kryer pas gjetjes dhe kallëzimit të bërë nga tri vajza, një lezhjane 20 vjeçe, me inicialet J.U. dhe dy motrave nga Elbasanit me inicialet M.H. 19 vjeçe dhe R.H. 16 vjeçe.
Pas gjetjes nga policia ato kanë denoncuar të arrestuarit se prej 10 ditëve i mbanin pa dëshirën e tyre të izoluara në një lokal pranë Shkollës së Bashkuar në kryeqytet. "Pronari i lokalit me inicialet A.D. tashmë është lënë i lirë edhe pse aty janë gjetur vajzat e zhdukura prej ditësh.
Ato mbaheshin nga të arrestuarit Zylyftar Tare, Ilir Saraçi dhe Agron Sinani. Këta nëpërmjet dhunës fizike dhe psikike kanë kryer marrëdhënie seksuale me vajzat, të cilat po i përgatisnin që t'i nisnin për në Kosovë ku do t'i shisnin për të ushtruar prostitucion"-thuhet nga burimet e hetimit.
Sipas këtyre të fundit, fillimisht denoncimi është kryer nga prindërit e 20- vjeçares nga Lezha e cila nuk ishte bërë e gjallë prej disa ditëve, duke i lindur dyshimi prindërve për rrëmbimin e vajzës së tyre.
Më pas, denoncimi i dytë ka ardhur nga i "dashuri" i njërës prej dy motrave, i cili kishte arritur të komunikonte në telefon duke mësuar për "rrëmbimin" e tyre. Pas denoncimit, policia është vënë në kërkim të tre vajzave, që mbrëmjen e së shtunës i ka gjetur në lokalin e shtetasit A.D. të mbyllura në një dhomë.
Ata kanë kallëzuar në polici tmerrin e 10 ditëve të izolimit dhe përdhunimit të tyre në ambientet e këtij lokali nga të arrestuarit dhe personat e shpallur në kërkim.
Sipas kallëzimit të vajzave, mësohet se ata ishin mashtruar nga një person i shpallur në kërkim i cili i kishte dorëzuar tek të arrestuarit që më pas kishin kryer me dhunë marrëdhënie seksuale. Gjithashtu, mësohet se të arrestuarit i bënin presion se do të shkonin në Kosovë ku do të ushtronin prostitucion në të kundërtën do t'i vrisnin ato dhe pjesëtarët e familjeve të tyre.
Të arrestuar
Zylyftar Tare, lindur më 1984 në Thumanë dhe me banim në Tiranë
Agron Sinani, lindur më 1985 në Kukës dhe me banim në Tiranë
Ilir Saraqi lindur më 1984 në Kukës dhe banim në Tiranë