E Diel, 1 Nëntor 2026

Morfov: Për Shekspirin më frymëzon dashuria

Regjisori bullgar Aleksandër Morfov rikthehet në Butrint 2000 me "Ëndrra e një nate vere" të Shekspirit. Filozofia e tij mbi teatrin e gjallë, aktorët krijues, regjisorin e lirë. Në fund përvoja ruse e administrimit të një teatrit


Butrint

Ajri i lagësht dhe errësira që kish mbuluar rrënojat e Butrintit të shtunën mbrëma i dhanë dorë regjisorit bullgar Aleksandër Morfov të krijonte "Ëndrrën e një nate vere" të vërtetë. Vepra e krijuar më 1595 nga Shekspiri u shfaq nën drejtimin e tij nga trupa e teatrit shtetëror të Shën Pjetërburgut, "Vera Komissarzhevskaya".


Po këtë natë Morfov mori trofeun e Presidentit të Nderit të Festivalit. Me të në dorë, shprehu dëshirën që e kishte kthyer edhe dy herë të tjera në këtë skenë, për "Shtërngatën" më 2005 dhe "Don Zhuanin" më 2008. "Ky mund të jetë i vetmi vend në botë, ku mund të dëgjosh zërin e artistëve dhe shpirtin e Zotit", tha Morfov. Në këtë vend ku është "ajri, dielli, gratë, teatri, rakia, vaji i ullirit", Shekspiri vjen afër, qartë, i vërtetë.


Në një natë vere mbretër dhe mbretëresha, zana, shtojzovalle dhe xhinde rrëmbehen nga magjia e dashurisë.


Historia zë fill në Athinë, ku mbretëron Tezeu i cili pret të martohet me Hipolitën, mbretëreshën e Zanave. Dashuri të madhe ushqen Lizandri për Hermian, bijën e Egjeut dhe Helena për Demetrion që e shpërfill dhe është rrëmbyer nga pasioni për Hermian.


Oberoni, mbreti i zanave, që vjen nga bota e hyjnive urdhëron shërbëtorin e tij që t'i mëkojë të dy burrat, Lizandrin dhe Demetrin me një lëng magjik dhe të dy t'ju bjerë në kokë për Hermian.


Nga ana tjetër, ai merr hak për mbretëreshën e zanave, Titanian, që e hedh në krahët e një burri të shndërruar në gomar. Në gjithë këtë, një grup aktorësh të një teatri privat bëjnë prova për një shfaqje.


Interpretojnë: Alexander Bolshakov, Olga Arikova, Alexander Ronis, Anatoly Gorin, Anna Vartanyan, Evgenia Igumnova, Rodion Prikhodko, Evgeny Ivanov, Sergey Byzgu, Margarita Bychkova, Denis Pyanov etj. Interpretimi i tyre plot energji e futi shpejt publikun brenda "kurthit" të teatrit. Një teatër tjetër mori jetë brenda 2 orëve e gjysmë brenda shfaqjes që shihte publiku shqiptar në skenën e Butrintit.


Secili karakter i gdhendur deri në detaje.
Regjisori i kredhur brenda një palë pantallonave të gjera me tiranda, me një palë barseta të trasha që i zinin fytyrën, dhe me gjyzlykë të shtrembëta e bëri publikun të qeshë qysh me të dalë në skenë.


Po ashtu edhe "aktorët e tjerë", nuk humbën asnjë grimë energjie nga fillimi në fund të shfaqjes. Spektatori jetoi me lojën e tyre të vërtetë.
Tek vërtetësia përmblidhet filozofia e teatrit të Aleksandër Morfovit.


Në konferencën për mediat, regjisori tregoi se iu desh punë për t'i bindur aktorët e teatrit "Vera Komissarzheskaya" që të braktisnin mendësitë e rrënjosura dhe ato kanone që e izolojnë aktorin në një kuadër të ngushtë. "Këtë mund ta bëjnë vetëm ata që janë personalitete të fortë.


Kështu edhe me kolektivin bullgar dhe me atë rus, kam pasur vështirësi të mëdha për t'i pastruar deri në zero dhe pastaj për t'i rindërtuar. Në shfaqjen e parë, një javë përpara premierës, kisha mbledhur bagazhet dhe bëhesha gati të ikja nga Pjetërburgu.


Gjysma e artistëve që drejtoja në atë kohë, marrin pjesë edhe në këtë shfaqje", pohon Morfovi, të cilit iu desh pas kësaj përvoje të bënte një premiere, "të riorganizohej gjithë energjia" dhe të kuptohej cili ishte qëllimi i tij me këtë shfaqje. Morfov e sheh aktorin si bashkautor, jo si "marionetë". "


Ai është bashkëpunëtori im. Ne duam të njoftojmë diçka përpara botës", thekson më tej regjisori. Aleksandër Morfov është shkolluar në Akademinë Kombëtare të Teatrit dhe Artit Filmik në Sofje. Vitet më të mira të tij janë vitet 90, pas shfaqjes së "Shtërngatës" dhe "Hamletit të Shekspirit" në Teatrin e vendit të tij.


Në vitin 1994 ai u bë drejtor i Teatrit Kombëtar "Ivan Vazov" të Sofjes dhe sot është drejtor artistik i këtij teatri. Vijon sërish me shfaqjet e Shekspirit në Shën Pjetërburg, Rusi, dhe më 2005 ai u ftua të bëhej drejtor artistik i Teatrit "Vera Komissarzhevskaya".


Përse kaq gjatë me Shekspirin e pyesin në konferencën e shtypit? "Gjatë gjithë jetës sime, kam pasur një dëshirë të madhe që vepra të kishte hapësirë, dritë, shpresë dhe dashuri. Kisha dëshirë që të dëgjoja tekstin e Shekspirit edhe sikur mos të bëhej shfaqje."


"Ëndrra e një nate vere" u shfaq në gjuhën ruse në Festivalin e Butrintit me kërkesë të regjisorit. Ai doli para publikut dhe tha po mat forcat e tij krijuese. Me heqjen e titrave ai ka besuar se kështu mund të kuptohet nëse një teatër është i mirë.


Edhe pse është "kritikuar" për një vështrim tepër modern të Shekspirit, Morfov nuk ka hequr dorë nga metoda e tij e teatrit. Nuk ishte e çuditshme të shihnim në skenën e Butrintit një vajzë të re në rolin e Hermias që tymoste, me flokë të lyer, me veshje ekstravagante, një zanë sensuale (Titania), një Lizandër të veshur sport, me kapuç në kokë.


"E vetmja gjë që unë kam është që të kuptoj botën dhe mënyrën sesi ta ritransmetoj. Ka pasur edhe raste kur jam kritikuar për trajtimin liberal të Shekspirit. Nuk kam ndërmend të tërhiqem nga kjo mënyrë e lirë e interpretimit."


E mbyll Morfov takimin me median. Janë të shumtë ata që duan të flasin me të pas përfundimit të shfaqjes, pas konferencës, edhe kur ai është gati për t'u nisur drejt Maqedonisë. Duket se për të gjitha ka ca përgjigje të shpejta. Morfov tregon shkurt për "Shekulli", idetë e tij për teatrin.

Z. Morfov çfarë pune bëhet për të prezantuar një shfaqje të bukur të Shekspirit?
Nuk ka këshilla sesi mund të bëhet një shfaqje e bukur e Shekspirit. Mua dhe gjithë aktorët më frymëzonte dhe më udhëhiqte dashuria.


A mendoni se Shekspiri ka më sukses kur nuk shfaqet as shumë tradicional, as shumë modern?


Asnjëherë nuk më ka shqetësuar modernia apo tradicionalja. Udhëhiqem nga mendimi, ndjenja dhe vërtetësia.

Aktorët tuaj ishin kaq të vërtetë sonte. Si mund t'i qëndrosh larg batakut të falsitetit? Artistët rusë kanë shumë dëshirë të interpretojnë, të luajnë. Ishte e nevojshme të kalonim nëpër një proces të gjatë për ta zbutur pak këtë tipar. Ky proces nuk është edhe aq i vështirë sepse kjo na bën që të jemi gjithmonë të pasur, të mendojmë, të krijojmë për të zbuluar thelbin e pjesës.


Shkolla ruse është Stanislavski. Për mua ishte shumë e vështirë që t'ua çrrënjos nga koka këtë aktorëve. Sepse në atë variant që ekziston shkolla e Stanislavskit, është e dëmshme.


Kur një aktor e ka mbaruar detyrën me ju?

Asnjëherë.


Përse, çfarë është e mangët në mënyrën si aplikohet?


Interpretimi fals që u mësohet aktorëve.


Cilës shkollë i takon formimi juaj?


Unë kam pasur lumturinë dhe fatin që të kem profesore dhe regjisore një grua të jashtëzakonshme, Julia Ognjanovën. Ka qenë e persekutuar në kohën e komunizmit, dhe ajo ka punuar shumë në Itali, në Francë dhe për katër vjet nuk kam dëgjuar asnjëherë mendime si: sistemi i Stanislavskit, sistemi i Çehovit. E vetmja gjë që ajo u mundua të na mësonte ishte që ne të kuptonim vetveten.


Ku qëndron kuptimi i teatrit të mirë?


Tek vërtetësia.


Me cilët autorë keni punuar më gjatë dhe në çfarë skenash?

Me Uiliam Shekspirin në radhë të parë, Çehovin. Megjithëse frikësohem të vë Çehov. Sepse akoma e ndjej veten herët. Kam punuar në Suedi, Francë, Maqedoni, Rusi dhe Amerikë.


Ju jeni udhëheqës artistik i Teatrit të Sofjes. A vuan teatri juaj për buxhete?

Jemi në momentin e krizës dhe po bëhet reforma në teatër. Shpresoj të bëhet për mirë. Kanë kaluar 20 vjet nga sistemi i vjetër socialist dhe në teatrot e qyteteve të tjera shumë pak gjëra ndërruan. Me të vërtetë erdhi koha që në mënyrë kardinale të bëhen disa ndryshime. Reforma duhet të konsistojë në krijim dhe financa.

*************************

Flet drejtori administrativ i Teatrit te Shën Pjetërburgut"Zgjidhje për një teatër janë shfaqjet e mira"


Teatri shtetëror i Shën Pjetërburgut "Vera Komissarzhevskaya" është themeluar në vitin 1904 nga një aktore brilante ruse me të njëjtin emër, por teatri e mori emrin e saj më 1959. Këtu ftohen regjisorë nga vende të ndryshme të botës. Drejtori administrativ Vadim Zaytsev tregon për punën që ai bën, si gjenden buxhetet dhe si bëhet aktori atraktiv për publikun.


Z. Zaytsev, çfarë politike ndiqni për krijimin e repertorit tuaj?


Unë mund të flas për këtë, por duhet të dini që detyra ime është drejtues administrativ. Unë merret me paratë. Punë e mirë, por jo e lehtë. Kjo është përgjegjësi e drejtorit artistik të Teatrit, Viktor Novikov. Ne punojmë bashkë sigurisht dhe ndonjëherë është e vështirë të thuhet cilat vendime varen nga ai dhe cilat nga unë. Shfaqjet duhet të jenë të mira. Kriteri kryesor është që regjisori të jetë i talentuar.


Mendoj se teatri i baletit dhe opera është më shumë ndërkombëtar për shkak të globalizimit, lidhjet e shumta. Por në teatrin dramatik është e rëndësishme që të kemi aktorë rusë. Në repertorin tonë kemi Shekspir, Molier, McDonagh, Çehov, Ostrovski.


Nga i merrni fondet? A janë të mjaftueshme për ta mbajtur në këmbë teatrin?

Nga departamenti i kulturës së Shën Pjetërburgut, që financohet nga qeveria. Kjo është pjesa kryesore e buxhetit tonë. Qyteti ynë ka rreth 20 teatro. Ekonomikisht departamenti ynë i kulturës mbulon çdo vit, kostot kryesore të këtyre teatrove.


Lekët e tjera vijnë nga shitja e biletave. Nuk e di nëse ka një teatër në botë, që nuk vuan problemin e parave. Sigurisht që buxheti është gjithmonë i limituar, si kudo. Zgjidhja është të bëhen shfaqje të mira, dhe të kesh përfitime nga biletat.


Sa buxhet në një vit i jepet teatrit të Shën Pjetërburgut?


Diku tek 4 milion euro. Stafi ynë përbëhet nga 250 persona, nuk e kam fjalën vetëm për aktorët.

Si gjenden fondet e tjera?


Është një kompani e madhe PR që duhet të vrapojë, vrapojë. Tani jemi në kohën që teatri duhet të ketë impakt shoqëror, si futbolli, klabet e natës, televizioni. Reklama është tej mase e rëndësishme dhe punojmë shumë për të.

Cili është shkolla që "furnizon" teatrin tuaj?


Ne kemi një shkollë të madhe në Shën Pjetërburg, Teatri i Akademisë, një shkollë e fortë teatri në Rusi. Nëse kemi nevojë për "gjak të ri", i marrim që aty. Metoda më e mirë që ne njohim është ajo e Stanislavskit. Shpesh regjisorët e rinj, thonë që ka ardhur koha për ta harruar Stanislavskin, por kjo nuk është e vërtetë.


Unë jam vetë aktor dhe e ndjej që leksionet e Stanislavskit mbi teatrin janë të duhurat. Regjisorët thirren nga gjithë bota, aktorët jo. Nuk e kanë të lehtë me gjuhën.

Ku udhëtoni me shfaqjet tuaja?

Prodhojmë shfaqje në Shën Pjetërburg dhe i luajmë ato në teatrin tonë. Në repertorin tonë kemi më shumë se 20 performanca në këtë moment. Ndonjëherë shkojmë në festivale, por jo shumë shpesh.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›