E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset "strehuesi i vrasësit" të Allushëve

Policia arrestoi mbrëmjen e të hënës në Paskuqan, një nga personat e dyshuar si ndihmuesin e të dyshuarit të vrasjes së të dielës


Isa Lusha u ndalua pas negociatave të policisë, ndërsa oficerët e policisë janë në kërkim të Bashkim Qefalisë


TIRANË- Arrestohet pas vrasjes tek Dogana, strehuesi i Bashkim Qefalisë i akuzuar për vrasjen e Artan Allushit, mesditën e të dielës së kaluar më 26 korriku. Isa Lusha, 26 vjeç, banues në Paskuqan është prangosur gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të martës, në banesën e tij në Paskuqan. Ndaj Lushës prokuroria kishte nxjerrë një fletë- arresti për akuzën e "përkrahjes së autorit të krimit" dhe strehimit të tij pas vrasjes së kryer pranë Doganës së Tiranës.


Arrestimi i Lushës, me banim në Tiranë është konfirmuar dje zyrtarisht nga burime të poilicisë së kryeqytetit të cilët kanë pohuar se Lusha është arrestuar për shkak se nga hetimi është zbuluar se ai ka ndihmuar autorin e dyshuar të krimit të strehohet dhe t'i largohet policisë, pas krimit të së dielës në mesditë.


Sipas burimeve të policisë, Lusha ka qenë bashkë me Bashkim Qefalinë të dyshuar se ka qëlluar me pistoletë në drejtim të pjesëtarëve Allushi, duke lënë dy të plagosur dhe një të vrarë. Sipas policisë, dyshohet se ai ka ndihmuar Qefalinë të largohet nga vendi i ngjarjes.


Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve dhe Shëndetit, në Policinë e Tiranës, arrestuan Isa Lushën në banesën e tij në Paskuqan, vetëm tre ditë pas ngjarjes së rëndë tek Drejtoria e Doganave, ku mbeti i vdekur Artan Allushi, 26 vjeç, dhe u plagosën dy kushërinjtë e tij Kujtim dhe Nertil Allushi, përkatësisht, 50 dhe 22 vjeç.


Bashkëpunëtori i Qefalisë, pas arrestimit është marrë në pyetje nga oficerët e hetimit të krimit në Policinë e kryeqytetit, ku ky i fundit ka rrëfyer për veprimet e tij që nga momenti i vrasjes së Artan Allushit. Vetëm disa sekonda pas kryerjes së krimit në rrugën e Durrësit në afërsi të doganës së Tiranës, mësohet se Bashkim Qefalia, është larguar bashkë me dy shokët e tij në drejtim të Babrrusë ku edhe banonte.


Në përpjekjet për t'i shpëtuar arrestimit të policisë, autori që dyshohet se qëlloi me pistoletë në drejtim të Allushëve ka braktisur mjetin me të cilin udhëtonte para se të futej në lagjen ku ai banonte.


Të dielën, kur ndodhi edhe ngjarja, Policia e kryeqytetit, bllokoi automjetin e braktisur në afërsi të ish -Uzinës Dinamo, që dyshohet se është përdorur nga Qefalia dhe bashkëpunëtorët e tij. Burime nga Policia e kryeqytetit pohuan dje se po punohet intensivisht për arrestimin e autorit kryesor të krimit të së dielës në rrugën e "Durrësit", ku nga strukturat e hetimit të krimit u bë i munduar identifikimi i autorit vetëm disa orë pas ngjarjes. Ndërkohë, nga të dhënat e Policisë mësohet se Qefalia është ndihmuar nga dy persona, ku njëri prej tyre tashmë ka përfunduar në prangat e policisë.


Ndërkohë, mbi 26- vjeçarin nga Paskuqani rëndon akuza e "përkrahjes së autorit të krimit" dhe Prokuroria e Tiranës do të vazhdojë më tej hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes që ndodhi të dielën pranë Drejtorisë së Doganave, rreth orës 12 e 15 minuta.


Pikërisht në këtë orë pas një sherri gojor dhe konfrontimi fizik, mbeti i vdekur Artan Allushi, 26 vjeç, dhe u plagosën Kujtim Allushi, 50 vjeç dhe djali i tij Nertil Allushi, të tre banues në komunën Zall - Herr në periferi të Tiranës. Njëri prej të plagosurve, Kujtimi, ka dalë nga Spitali Ushtarak, ndërsa djali i tij vazhdon akoma të jetë nën kujdesin e mjekëve në spital.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›