E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Rezoluta e Ramës për zgjedhjet, racionale

Anëtari i kryesisë së PS-së, Pandeli Majko, tha se kriza nuk është tek e majta, por tek qeverisja e ardhshme


TIRANË - Ish-Kryeministri i vendit, anëtari i kryesisë së PS-së, Pandeli Majko, ka vendosur të mbështesë qëndrimin e kryetarit, Edi Rama, për zgjedhjet.


Në një deklarim për mediat, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Majko e ka cilësuar racionale rezolutën e propozuar nga kryetari i opozitës, Edi Rama, për procesin zgjedhor. "Unë përkrah rezolutën e hartuar nga kryetari i partisë.


Mendoj se është më racionale dhe kjo është arsyeja e mbledhjes së asamblesë. Pra, ka të bëjë me qëndrimin e PS-së karshi procesit zgjedhor, dhe zgjedhjeve të 28 qershorit, kurse elementë të tjerë të analizave i takojnë kongresit, që në një mënyrë apo një tjetër, duhet të jenë pjesë e diskutimeve të PS-së", - tha Majko.


Në një nga pikat e rezolutës së hartuar dje nga lideri i opozitës, Edi Rama, dhe i mbështetur thuajse nga të gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare të partisë, thuhej se, zgjedhjet e 28 qershorit ishin një mundësi e humbur për të përmbushur në një moment kyç të historisë së vendit standardet demokratike evropiane dhe aspiratat e popullit shqiptar për zgjedhje të lira e të ndershme, duke bërë përgjegjëse qeverinë e Sali Berishës për deformimin e qëllimshëm të procesit zgjedhor e të rezultatit të tij.


Por krahas qëndrimit për zgjedhjet, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së u diskutua edhe për zbatimin ose jo të statutit nga ana e kryetarit të partisë. Ben Blushi deklaroi dje për mediat se Edi Rama ishte tashmë pa mandat, sepse sipas tij, kishte hyrë në fuqi statuti i partisë.


Ndërsa Pandeli Majko, pyetjes nga media se a duhet të ndërpritet mandati i kryetarit të Partisë, i përgjigjet në këtë mënyrë: "Kam përshtypjen se kjo është arsyeja pse u thirr kjo mbledhje dhe kërkesa e kryetarit për të mbledhur kongresin ka të bëjë me arsyetimin përkatës.


Nuk besoj se ka ngërç apo për t'i rrëshqitur një lloj përgjegjësie. Përkundrazi, ka ballafaqim me përgjegjësinë, kështu që në këtë këndvështrim, nuk besoj se ka ndonjë vakum lidhur me këtë çështje".


Në një nga pikat e rezolutës së miratuar dje nga asambleja, ishte edhe angazhimi i shprehur se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t'i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Kuvendit dhe mandat politikisht legjitim qeverisë së vendit.


Deputeti i Korçës, që i pa nga afër zgjedhjet, u shpreh dje se jemi përpara një legjitimiteti të cunguar të këtyre zgjedhjeve.


"Në një mënyrë apo një tjetër, këto zgjedhje vërtetuan se kemi të bëjmë me një qeverisje, që nuk i ka bërë nder as vetes dhe se do jetë një kosto, që do paguhet nga të gjithë. Kemi një koalicion. Por të shikojmë si do jetë marrëdhënia kaq e rastësishme Meta-Berisha.


Nuk besoj se kriza është në krahun e majtë. Nëse kemi një krizë të padeklaruar, është qeveria e cila do të ketë brenda të majtën dhe të djathtën",- tha Majko. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Majko tha se askush deri më sot nuk e kishte ngritur si opsion mos hyrjen e opozitës në Kuvend.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›