E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranvera arabe, OKB: Në Siri u ka kushtuar jetën 3500 personave

Më shumë se 3500 veta kanë humbur jetën në protestat antiqeveritare në Siri. Shifrat i jep Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila bazohet në të dhënat e burimeve të saj në këtë vend.

Javën e shkuar, Liga Arabe bëri të ditur se Siria kishte rënë dakord për një marrëveshje paqeje me opozitën, por sipas të dhënave të OKB të paktën 60 veta kanë vdekur që nga ai moment, shumica prej tyre në qytetin Homs.

Trupat siriane vazhdojnë të përdorin tanke dhe armë të kalibrit të rëndë kundër zonave të banuara në Homs, tha Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut.

Aktivistët e opozitës thonë se regjimi ka ndërmarrë një ofensivë të egër ndaj qytetit sidomos javët e fundit. Trupat ushtarake shkojnë shtëpi më shtëpi dhe arrestojnë banorët.

Pavarësisht deklaratës së qeverisë para disa ditësh se kishte liruar disa të burgosur politikë si hap ii parë drejt marrëveshjes së paqes, Shamdasani shprehet se mijëra janë ende nëpër burgje dhe të tjerë arrestohen përditë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›