E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranvera e Bagdadit

Layla mbërthen xhaketën, rregullon shaminë dhe vrapon t‘i arrijë miqtë para se e ëma të ndërrojë mendje. Çdo fundjavë shkojnë në parkun "Zourha" për një shëtitje. Ulen mbi barin e thatë, nxjerrin paninet nga çantat dhe kalojnë disa orë të këndshme duke biseduar për muzikën, djemtë dhe shkollën që kanë nisur ta frekuentojnë rregullisht. Në shtëpi prindërit presin që fëmijët t‘u kthehen shëndoshë e mirë. Duken nga fytyra që janë të shqetësuar deri sa të kthehen. Shqetësimi transformohet në buzëqeshje sapo shohin fëmijët të cilët kalojnë pragun e derës që ndan qetësinë e mureve të shtëpisë nga rrugët e Bagdadit, sidoqoftë pak më të rrezikshme se në të shkuarën. "Është pak më mirë. Nuk mund t‘i mbajmë fëmijët të mbyllur në shtëpi, siç kemi bërë këto tri vite. Por frika nuk është si xhaketa, që mund të hiqet sapo ngrohet koha. Është e vështirë të harrohet frika, sidomos pas asaj që kemi kaluar", tregon Shereen, duke fshehur disi frikën për vajzën që ka dalë për t‘u argëtuar me miqtë e saj. Djalin e ka në Indi për të kryer master në inxhinieri, ndërsa në shtëpi jeton me dy vajzat, e madhja që studion mjekësi dhe e vogla që është ende në gjimnaz. Nga ana tjetër, Shereen ka plotësisht të drejtë të jetë e shqetësuar. Bagdadi nuk është ende një qytet paqësor, pavarësisht se ushtarët amerikanë po largohen dhe policia e ushtria irakiane kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit. Frika është ende e pranishme. Javën e shkuar, vetëm brenda një dite shpërthyen dy autobomba, ku vdiqën më shumë se 140 vetë. "Deri pak kohë më parë kishte të paktën 60 të vdekur në ditë", shpjegon Adnan Sharif, kapiten i stacionit të policisë, që kontrollon zonën tregtare të Karradas. "Megjithatë, është fakt se rrëmbimet dhe vrasjet fetare dhe shkëmbimet e zjarrit janë zvogëluar. Njerëzit kanë dëshirë të madhe ta jetojnë jetën". Sapo u duk pak e qetë situata në vend, në Bagdad shpërtheu dëshira për t‘u argëtuar. Të rinjtë, pas shumë vitesh të kaluara të mbyllur në shtëpi, para televizorit ose kompjuterit, dhe të privuar nga leksionet e shkollës, tani takohen nëpër parqe, shohin vitrinat e dyqaneve që reklamojnë veshje, frekuentojnë kafenetë, ose pikat e internetit të shpërndara në të gjithë qytetin. Familje të shumta kanë nisur të sjellin sërish në modë piknikun përgjatë lumit, sidomos në fundjavë. Të dashuruarit zakonisht shëtisin përgjatë lumit, ku ndodhen edhe baret dhe restorantet më të mirë, edhe pse këta të fundit nuk qëndrojnë hapur deri natën vonë. Vetëm pak javë më parë, në parkun "Zourha" u zhvillua panairi i parë i luleve në Bagdad, që nga fillimi i luftës. Të gjithë duket sikur duan t‘i japin fund një lufte, e cila nuk ka shërbyer për asgjë dhe nuk ka kursyer askënd. Tani kanë filluar të rrëzohen edhe muret që e kishin shndërruar qytetin në një labirint çimentoje, shtylla dy ose tre metra që shërbenin për kontrolle dhe postblloqet. Ndryshimi në lagje të tilla si Jihad dhe Karrada po i jep Bagdadit një panoramë qytetare që në vitet e fundit kishte humbur. Janë rikthyer banketet dhe shitja e ushqimeve në rrugë, edhe pse është mirë të evitohen vendet e mbipopulluara dhe restorantet ku qëndrojnë zakonisht forcat e rendit, që janë mes objektivave kryesore të milicisë ekstremiste. Për të rriturit, çështja e argëtimit bëhet më serioze. Dalëngadalë Bagdadi po rikthehet në qytetin e dikurshëm. Në sy bien edhe klubet e çuditshëm me stil perëndimor, ku mund të konsumosh të gjitha llojet e pijeve alkoolike. "Më në fund, birra është shumë e mirë. Më parë, me sanksionet që ekzistonin, nuk kishe shumë mundësi zgjedhjeje", tregon Ali Turfa, një inxhinier 30 vjeç. Në lokalet që dikur frekuentoheshin vetëm nga meshkujt, mund të shohësh edhe femra pa asnjë problem. Në zonën e Karradas, vetëm muajin e fundit janë hapur 32 klube, por ai më i famshmi, me emrin "Ahalan Wasahalan" ("Mirë se erdhët"), administrohet nga sheikja, kështu e thërrasin, Tiba Jamal. Kamerieret e veshura shumë ndryshe nga irakianet vendase u shërbejnë klientëve që vetëm për hyrjen paguajnë 50 dollarë. Por, vendi më shik i Bagdadit mbetet "Huntting Club". Vendi që u bë i famshëm nga fëmijët e Sadamit që e frekuentonin rregullisht, tani është një vend i hapur për të gjithë, edhe pse çmimet janë paksa të kripura. Thuhet se mes atyre që e frekuentojnë më shumë këtë klub janë shtresa e intelektualëve vendas, ministra, poetë, shkrimtarë, muzikantë që natyrisht mund t‘ia lejojnë vetes. Me pishinë dhe një arkitekturë fantastike, lokali nuk është mbyllur kurrë, madje as gjatë kohës së luftës. "Këtu çlodhesh gjithmonë, edhe kur përjashta fërshëllejnë plumbat dhe raketat", tregon Karim Wasfi, drejtori i orkestrës simfonike që, për herë të parë në marsin që vjen, do të luajë në Bagdad. Më pas shton: "Kishim luajtur vetëm jashtë vendit. Mezi e kemi pritur këtë ditë. Ka qenë një emocion i madh që të rikthehesha të luaja për njerëzit e mi". Është herët për të thënë që në Bagdad jeta është e sigurt. Shumë shpesh dëgjohet për vdekje dhe vrasje. "Siguria është përmirësuar. E kam parë me sytë e mi, duke e krahasuar me rrugët gjysmëboshe të një viti më parë dhe nga familjet që hanë peshk dhe rizoto në restorantet përgjatë lumit", thotë Steffan de Mistura, i dërguari i Kombeve të Bashkuara. "Atentatet e javëve të shkuara treguan se nuk jemi ende në Zvicër. Ajo që më jep shpresë dhe besim është vendosmëria e jashtëzakonshme e irakianëve për të ecur përpara. E kam vënë re këtë kur vetëm disa orë pas atentatit, në heshtje dhe me sytë e mbushur me zemërim dhe jo me dëshpërim, pastrojnë xhamat, mbledhin mbeturinat, dhe rihapin atë që ngelet nga dyqani i shkatërruar në cep të rrugës. Ata besojnë tek e ardhmja dhe ne të huajt habitemi me forcën e brendshme shpirtërore që kanë". Ndërkaq, në shtëpinë e Shereenit pritet që Layla të kthehet. E ëma qëndron me zemër të ngrirë derisa e bija të kthehet. Deri pak kohë më parë kishte frikë se dikush do të vinte t‘i jepte ndonjë lajm të tmerrshëm, ndërsa tani ka më shumë guxim. Më në fund, vajza kthehet shëndoshë e mirë: "Layla u kthye. Thotë se është argëtuar me miqtë. Edhe për sot ja hodhëm. Tani duhet ta bind që të bëjë detyrat, sepse nesër që në mëngjes i duhet të shkojë në shkollë". Një ditë e re mes ankthit dhe shpresës do të vijë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›