E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapamendimet e një oferte

Kryeministri i vendit ia ka bërë ftesën opozitës me zemër në dorë: Votoni tre ligjet që janë në parlament, dhe rruga është e hapur për marrjen e statusit të vendit kandidat. Opozita e kushtëzon me dhënien e mandatit të Kryetarit të Qarkut të Fierit. Ngjan një qëndrim meskin i saj. Shumëkush do mendonte me të drejtë, se nuk mund të ndalet rruga europiane e Shqipërisë për karrigen e kryetarit të një qarku, që në Bruksel pakkush e di ku bie! Mund të shtrohej me të drejtë pyetja, se kur bëhet fjalë për një mandat qarku, pse nuk e jep Kryeministri, aq më shumë kur opozita e ka fituar edhe me gjyq? Arsyeja nuk është vetëm se Kryeministri nuk e ka ndjenjën “fair play”, dhe koncepti i tij negociator është mbytja e kundërshtarit. Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Shkaqet janë më të thella. Fillojnë pak ditë më parë, kur u miratua Kodi i ri Zgjedhor. Në frymën e mirëkuptimit për integrimin e vendit, socialistët dhanë miratimin. Duke njohur mungesën e skrupujve të palës përballë, Partia Socialiste mund të akuzohet për mungesë nuhatjeje politike dhe dobësi negociatore. Pasi do ishte arsye më thelbësore dhe parimore bllokimi i procesit të integrimit, deri sa të merreshin garanci formale nga qeveria dhe ndërkombëtarët, për zgjedhje të lira. Sepse pa zgjedhje të lira, integrimi është fjalë boshe. Por e majta e dha konsensusin për kodin elektoral, pavarësisht pakënaqësive të aleatëve dhe pasigurisë për rregullsinë e procesit. Nuk vonoi disa ditë, dhe mirëkuptimi e mirëbesimi i saj u shpërblyen duke hequr nga kryesia e Komisionit një vasal të Berishës, dhe vendosur një nëpunëse të Topallit. Arben Ristani, pilotohet si zëvendësministër i Brendshëm, - dikasteri që do menaxhojë prapavijën e zgjedhjeve, listat elektorale, policinë, dhe shumë detaje që kërkon procesi. Një garanci më shumë se do ketë probleme.
Edhe vetë Qarku i Fierit, për të cilin opozita ka bllokuar votimet, nuk është thjesht çështje procedure. Është Qarku i fundit i një serie manipulimesh në qarqet e tjera, ku në zgjedhjet e fundit vendore, megjithëse e majta ka fituar në shumicën e tyre, me anë blerjesh të këshilltarëve të koalicionit rozë, kryesitë e tyre janë marrë nga grupimi qeveritar. Përveç Fierit që është i bllokuar, e majta zotëron vetëm Gjirokastrën. Përveç vende punësimi dhe fonde, kjo do të thotë edhe ndihmesë në procesin e ardhshëm zgjedhor të kryetarëve të këtyre qarqeve dhe administratës së tyre, ndaj partisë që u përkasin. Shto këtu, se Fieri, ku e majta fiton tradicionalisht thellë, është edhe qarku ku ka mandatin Dritan Prifti, i cili mund të influencojë që LSI-ja mos ta ketë mandatin e saj prapë nga ky qark. Ndaj, Berishës i duhet jo vetëm si ndihmesë për rrudhjen e socialistëve, por edhe si detyrim që të mbajë në këmbë aleatin e vet, i cili në raundin e 2013-ës shkon i tretur nga skandalet korruptive.
Paketa e shqetësimeve të së majtës, e cila ka bllokuar votimet e tre ligjeve, nuk mbetet vetëm këtu. Një ligj tjetër ka të bëjë me statusin e nëpunësit civil. Pas shtatë vjetësh në pushtet, Partia Demokratike e ka shpërdoruar në mënyrë të paprincipë mandatin e saj. Aktualisht nga dikasteret kryesore, janë larguar 20% deri 95% e personelit që gjetën në 2005-ën. Persona për të cilët ishte harxhuar kohë, energji dhe fonde në trajnimin e tyre, u larguan për t’u zëvendësuar me militantë, pa marrë parasysh kriteret. Në këto ditë, personat që përfitojnë nga ky status, janë diçka më shumë se tre mijë nëpunës. Sipas statistikave të Bankës Botërore, po kaq janë të larguarit nga puna që kanë fituar gjyqet, dhe deri në kthimin e tyre në vendin e punës, buxheti vazhdon u paguan rrogën. Kjo qeveri që është, nuk ka ndërmend t’i kthejë të larguarit. Ata që janë aktualisht në punë, nuk ka ndërmend t’i largojë dhe zëvendësojë me kë ka fituar gjyqet, por synon t’i betonojë në vendet që mbajnë aktualisht, megjithëse shumë prej tyre nuk kanë kualifikimet përkatëse. Atëherë si mund të pritet votimi i një ligji, i cili jo vetëm sanksionon padrejtësinë, por prek edhe interesat e njerëzve që kanë fituar gjyqet dhe ul cilësinë e administratës? Akoma më e rëndë është gjendja në sektorët që varen nga ministritë. Ja një shembull: Me ardhjen në pushtet të PD-së dhe vitet në vazhdim, u pushuan nga puna 950 doganierë, nga 1015 që kishte gjithsej sistemi. Për të gjithë ishin harxhuar fonde në trajnimin dhe specializimin e tyre. Shumica dërrmuese e tyre kanë fituar gjyqet, por jo vetëm që nuk është kthyer asnjëri në punë, por 145 prej tyre, në mënyrë arbitrare, Drejtori i Përgjithshëm, një ish-lejtnant i Gazidedes, nuk ua jep rrogat, që gjyqet e të gjitha shkallëve, u kanë dhënë të drejtë t’i përfitojnë. Përmbarimet private, që me aq bujë i propagandon Kryeministri, nuk mund të zbatojnë vendimet, pasi jo vetëm që Thesari i Shtetit është bosh për shkak të krizës, por mbahet në minus në mënyrë që këta ish-nëpunës, të klasifikuar si kundërshtarë, të mos munden të marrin çfarë iu takon. Ligësia shkon më tej. Me një vendim të Këshillit të Ministrave, ua ka hequr të drejtën përmbaruesve që për çështje të tilla të hedhin drejtuesit e institucioneve përgjegjëse në gjyq ose të vendosin sekuestro mbi pronën. Kuptohet çfarë hipokrizie kanë deklaratat e Kryeministrit për ofertat ndaj opozitës dhe sa joevropiane është mënyra se si ai i zbaton ligjet.
Këta janë pak shembuj, nga shumë që ofron jeta e përditshme për ekzistencën e dopjo standardeve në mënyrën e qeverisjes. A e meritojmë Europën si qytetarë të barabartë? Patjetër, po! Por më përpara qeveria ka për detyrë t’i trajtojë shtetasit e saj si të tillë. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›