BE- Shqipërisë: Zgjidhni krizën brenda 18 marsit

Drejtori për Zgjerimin, Mirel, dhe ambasadori spanjoll, Montobio, i bëjnë apel klasës politike që të gjejnë një zgjidhje midis tyre
TIRANË - Bashkimi Europian i ka bërë dje një apel ultimativ politikës shqiptare që të zgjidhë krizën politike deri brenda datës 18 mars, në të kundërt vendi do të përballet me pasoja serioze në proceset integruese të tij. Këtë qëndrim e shprehën përfaqësuesit e vendeve të BE-së në vendin tonë, gjatë organizimit të punimeve të Komitetit të Stabilizim - Asociimit, i cili mbërriti dje në Tiranë, i kryesuar nga drejtori për Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel, dhe ku merrnin pjesë ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio, ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona McIwham, si dhe ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan. Ndërsa pala shqiptare përfaqësohej nga ministrja e Integrimit Majlinda Bregu. Duke qenë se më 18 mars, Parlamenti do të shqyrtojë nismat e Partisë Socialiste për transparencën e zgjedhjeve të Qershorit, Komiteti kërkoi që në këtë datë të arrihet një kompromis politik midis liderëve politikë shqiptarë, Rama e Berisha. Gjithashtu, në këtë kërkesë ultimative, përfaqësuesit e Komitetit të KSA-së, theksuan se arritja e një marrëveshjeje politike midis forcave politike është shumë e rëndësishme, kur në datën 19 mars do të mbërrijë në Tiranë, komisioneri i ri për Zgjerimin Europian, Stefan Fule. Sipas drejtorit për Ballkanin Perëndimor në BE, me arritjen në Shqipëri të komisionerit Fule, duhet që kriza politike të ketë marrë zgjidhjen përfundimtare.
Mirel
Duke përshëndetur kthimin e opozitës në Parlament pas gjashtë muajve bojkot, Mirel vuri në dukje se shqyrtimi nga Komisioni i Ligjeve, të nismave të PS-së duhet të çojë në një qëndrim konstruktiv. "Para së gjithash ishte bojkoti prej gjashtë muajsh i Parlamentit, tani ne mirëpresim atë që ndodhi së fundmi, kthimin e anëtarëve të Partisë Socialiste në Parlament. Ajo që tani ka shumë rëndësi është që nga komisioni i Ligjeve të mbahet një qëndrim konstruktiv dhe gjithashtu, kjo kërkohet nga i gjithë Parlamenti", - tha dje Mirel. Ai theksoi se, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka mundësinë që të luajë një rol efektiv në arritjen e një kompromisi politik midis forcave politike. Nëse kriza politike, nuk do të arrihet brenda datës 19 mars, sipas Mirel, kjo do të ishte e pafalshme për Shqipërinë dhe nuk do t'i pëlqente aspak Bashkimit Europian. Për këtë arsye, sipas drejtorit të Komitetit, duhet gjetur sa më parë zgjidhja e ngërçit politik, që edhe Parlamenti të funksionojë brenda normave të tij institucionale. "Kryetarja e Parlamentit mund të luajë një rol kyç, në mënyrë që të sigurojë arritjen e një zgjidhjeje permanente, gjë që është shumë e rëndësishme të arrihet deri në 18 mars. Mua do të më dukej e pafalshme, nëse në datën 19 në vizitën e parë të komisionerit për Zgjerimin, nuk do të jetë arritur një zgjidhje. Mendoj se nuk do të na pëlqejë kjo, prandaj mendoj se duhet të kërkohen të gjitha rrugët për gjetjen e kompromisit, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e përhershme deri në datën 18 mars në mënyrë që Parlamenti të funksionojë siç duhet", - u shpreh ai. Mirel mbajti të njëjtin qëndrim edhe gjatë konferencës së pasdites së djeshme, së bashku me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu. Mirel evidentoi faktin se diskutimet dhe shqyrtimet në Komisionin e Ligjeve, duhet të çojnë në një marrëveshje politike, që Shqipëria të tregojë realisht nëse ka një demokraci të pjekur. Ai kërkoi që me mbërritjen e komisionerit Fule kjo situatë politike duhet të jetë qartësuar përmes vendosjes së kompromisit politik. "Prandaj kërkesa ime për këtë komision do të ishte që të gjendeshin zgjidhjet që do të çonin në marrëveshje apo në një konsensus, i cili është thelbësor që Shqipëria të tregojë që është një demokraci e pjekur. Ne shpresojmë që zgjidhja të gjendet përpara datës 18 mars dhe për këtë themi që do të jetë edhe një ditë e rëndësishme. Kur komisioneri i ri për Zgjerimin, Stefan Fule, të vijë në Shqipëri në datën 19 mars të gjejë një situatë të qartë dhe të vendosur", - nënvizoi Mirel. Përveç kriterit politik, i cili mbetet ende i pazgjidhur, Pierre Mirel theksoi se në zbatimin e plotë të MSA-së, duhet të marrë zgjidhje edhe çështja e pronësisë. Moszgjidhja e kësaj çështjeje, sipas Mirelit, përbën një pengesë për ecurinë e vendit, si dhe për investimet e huaja në Shqipëri.
Montobio
Po kaq i ashpër në deklaratën e tij, ishte edhe ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobio de Balanse, vendi i të cilit kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Ai saktësoi se Bashkimi Europian kërkon të adresojë një mesazh të prerë politikës shqiptare, se bllokimi politik duhet të kapërcehet menjëherë nga një marrëveshje midis lidershipit politik shqiptar. Montobio vuri në dukje se konsolidimi i mëtejshëm i Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, i procesit të liberalizimit të vizave dhe përftimit të statusit kandidat për në BE, janë një test që Shqipëria ka me institucionet evropiane dhe sipas tij, kalimi i këtij testi fillon që nga zgjidhja e situatës politike. "Duhet të fokusohemi në sfidat e integrimit të Bashkimit Europian, por fillimisht duhet kapërcyer mosmarrëveshja politike, kjo është pika e nisjes për Shqipërinë. Ne duam t'ju japim një mesazh, ne do të vazhdojmë të veprojmë, të punojmë mbi pika konkrete të axhendës, por këtë mesazh e kemi më të rëndësishmin se bllokimi politik duhet të kapërcehet nëpërmjet një marrëveshjeje midis lidershipit politik shqiptar. Kjo do të bënte të mundur që ne të fokusohemi në pikat reale të axhendës për Shqipërinë, Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit, kandidaturën për anëtarësim dhe liberalizimin e vizave, dhe ne këtë e konsiderojmë si një test në marrëdhëniet tona. Kështu që, kjo situatë duhet të kapërcehet", - qartësoi Montobio. Komiteti i Stabilizim - Asociimit zhvilloi kështu dje, takimin e tij të parë në Shqipëri, që pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, më 1 prill të vitit të kaluar, ndërsa javën e ardhshme pritet që në Shqipëri të mbërrijë komisioneri i ri për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili do të njihet nga afër me situatën politike në vend.
Drejtori për Ballkanin Perëndimor në BE, Pierre Mirel:
"Kryetarja e Parlamentit mund të luajë një rol kyç, në mënyrë që të sigurojë arritjen e një zgjidhjeje permanente, gjë që është shumë e rëndësishme të arrihet deri në 18 mars. Mua do të më dukej e pafalshme, nëse në datën 19 në vizitën e parë të komisionerit për Zgjerimin, nuk do të jetë arritur një zgjidhje. Mendoj se nuk do të na pëlqejë kjo, prandaj mendoj se, duhet të kërkohen të gjitha rrugët për gjetjen e kompromisit, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e përhershme deri në datën 18 mars në mënyrë që Parlamenti të funksionojë siç duhet"
Ambasadori spanjoll, Manuel Montobio:
"Ne duam t'ju japim një mesazh, ne do të vazhdojmë të veprojmë, të punojmë mbi pika konkrete të axhendës, por këtë mesazh e kemi më të rëndësishmin se bllokimi politik duhet të kapërcehet nëpërmjet një marrëveshjeje midis lidershipit politik shqiptar. Kjo do të bënte të mundur që ne të fokusohemi në pikat reale të axhendës për Shqipërinë, Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit, kandidaturën për anëtarësim dhe liberalizimin e vizave, dhe ne këtë e konsiderojmë si një test në marrëdhëniet tona. Kështu që kjo situatë duhet të kapërcehet."