Pr/buxheti 2025, Baçi: Antisocial, tallje me pensionistët

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi gjatë seancës parlamentare tha sot se projektbuxheti i vitit 2025 i paraqitur nga qeveria është antisocial dhe nuk zgjidh problematikat ekonomike të qytetarëve shqiptarë.
Në nisje të fjalës së tij, Baçi i kërkoi mazhorancës që të evitoi shprehjen që është buxheti më i madh i paraqitur ndonjëherë.
“Sot diskutojmë buxhetin e vitit 2025, shumë të madh thotë mazhoranca. Do i lutesha mazhorancës të kursej fjalorin që thotë se buxheti është më i madhi i arritur ndonjëherë, pasi nuk ndodh që buxheti të jetë më i vogël. Ndryshe duhet të shpallim falimentin juridikisht”, tha Baçi.
Sipas tij, “edhe ky buxhet, është dëshmi e qartë e vizionit antisocial dhe abuzues me taksat e qytetarëve nga qeveria. E para duket nga rritja e pafrenueshme e inflacionit, shtimi i taksave, rritja e çmimit të shportës dhe kjo do të çojë në krizë të madhe ekonomike dhe sociale. Ky buxhet nuk ka mbështetje për të rinjtë që po largohen çdo ditë. S’ka mbështetje për punësimin dhe arsimimin e të rinjve. Asnjë reformë konsolidimi për shkollat. . Asnjë rritje buxheti për spitale. Asnjë rimbursim të ilaçeve për pacientët e varfër që përballen me sëmundje të rënda”.
Baçi tha se, “kjo panoramë e zymtë, u konfirmua edhe nga komisioni europianë, që parashikonte që rritja ekonomike do të zbres në 3.6% në vitin 2025 dhe 3.5% në 2026”, shtoi Baçi.
Deputeti i PD tha se çështja e pensioneve po përdoret për zgjedhjet e ardhshme.
“I gjithë debati publik, aktualisht fokusohet tek pensionet. Vitin e kaluar, ¼ e popullsisë merrte pension pleqërie. 1/3 merrnin pensione të llojeve të tjera. Çfarë ndodh, parashikimet afatshkurtër janë se numri i personave që do të përfitojnë pension arrijnë 40% të popullsisë së përgjithshme. Sot pensionistët, jo vetëm në Fier, por në të gjithë Shqipërinë i paguajnë ushqimet 55% më shtrenjtë se vitet e tjera. Me pensionet minimale, mundet vetëm të mbajnë frymën gjallë.
Ju flisni për shtim pensionesh, apo bonus të fund vitit. Madje Kryeministri tha se do ketë bonus special në fund të këtij viti dhe një bonus tjetër në pranvere, pasi po përpiqet të koordinojë datën e zgjedhjeve, që tua japi bonusin pensionistëve para fushatës dhe kjo, është tallje dhe pensionistët jan tallur për vite të tëra nga kjo qeveri”, tha Baçi.
/a.f/