E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

RUSI – Gjoba marramendëse për këdo që promovon jetesën pa fëmijë

MOSKË, 18 nëntor /ATSH/ – Kriza e rëndë demografike që po kalon Rusia detyroi Dumën të ndalojë propagandën për jetesën pa fëmijë të çifteve, sipas adnkronos.it.

Një projektligj që do të kthehet shumë shpejt në ligj nga Duma parashikon ndalimin e asaj që autoritetet e kanë përcaktuar si “propagandë shkatërruese në favor të një stili jetese pa fëmijë”.

Gjithashtu parashikohen gjoba të rënda për ata që kundërshtojnë dhe promovojnë ”një stil jetese perëndimore”, kundër vlerave tradicionale familjare.

Shkalla e lindjeve në Rusi arriti nivelin më të ulët në 25 vitet e fundit.

Të dhënat zyrtare të publikuara tregojnë se po lindin më pak fëmijë, ndërsa shkalla e vdekshmërisë rritet me luftën e Moskës në Ukrainë.

Kremlini i quajti shifrat “katastrofike për të ardhmen e kombit”.

Numri i të porsalindurve në gjysmën e parë të 2024 ishte afërsisht 599 600 fëmijë ose 16 000 më pak se në gjysmën e parë të 2023 dhe numri më i ulët që nga viti 1999.

Numri i vdekjeve u rrit me 49 000. Megjithatë, emigracioni u rrit me 20%.

Presidenti Vladimir Putin ka nxitur që gratë që të kenë të paktën tre fëmijë, duke thënë se kjo do të ndihmojë në sigurimin e të ardhmes së rusëve dhe vendit.

Por “vlerat tradicionale perëndimore” që promovojnë propagandën pa fëmijë do të rëndonin mbi zgjedhjet e grave.

Çfarë ndodh me ata që promovojnë një jetë pa fëmijë?

Gjobat do të jenë deri në 400 mijë rubla (3 840 euro) për qytetarët, 800 mijë (7 680 euro) për zyrtarët publikë dhe deri në pesë milionë rubla (47 992 euro) për personat juridikë.

Sipas World Factbook të CIA-s, Rusia është ndër 40 vendet me normën më të ulët të lindjeve në vitin 2023: afërsisht 9,22 për 1 000 banorë.

Në 20 vitet e ardhshme, sipas agjencisë shtetërore të statistikave ”Rosstat”, popullsia do të shkojë nga 146,1 milionë banorë në 130 milionë.

Putin e kishte shpallur vitin 2024 si vitin e familjes, por diçka duket se shkoi keq./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›