E Diel, 1 Nëntor 2026

Preç Zogaj zgjidhet sot “President Nderi” i Asamblesë së demokristianëve



Eljona Ballhysa
Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe bashkëthemelues i saj, Preç Zogaj, pritet të zgjidhet sot President Nderi i Asamblesë Kombëtare të Partisë Demokristiane. Demokristianët e Ndokës do të zhvillojnë sot mbledhjen e Këshillit Kombëtar të partisë në të cilën do të votëbesohen dhe do të zgjidhen disa nga drejtuesit më të lartë të partisë. Në mbledhjen e sotme do të prezantohet edhe Presidenti i Nderit i Asamblesë Kombëtare, i cili, siç konfirmohet nga burime zyrtare të partisë, do të jetë ish-deputeti i PD-së, Preç Zogaj. Politikani i njohur dhe shkrimtari Preç Zogaj njihet si një nga bashkëthemeluesit i ditëve të para të krijimit të Partisë Demokratike. Por marrëdhënia e tij me këtë parti ka shënuar ndarje e bashkime të herëpashershme. Zogaj u largua nga PD-ja me krijimin e Partisë Aleanca Demokratike, drejtuar nga Neritan Ceka, dhe ka qenë në opozitë me PD-në për disa vite. Më pas iu bashkua sërish selisë blu me rihapjen e PD-së dhe përgjatë katër viteve të kaluara ka mbajtur postin e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme. Por gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershorit të vitit 2009 Zogajt iu la një vend i pafavorshëm në listën e PD-së për deputetë. Për shkak se nuk iu dha asnjë shpjegim për postin e pafavorshëm, Zogaj refuzoi të ishte pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PD-së në zgjedhjet e qershorit dhe për këtë arsye u bashkua me Partinë për Ligj dhe Drejtësi të Spartak Ngjelës, duke kandiduar për të disatën herë në qytetin e tij, Lezhë. Por, sistemi i ri zgjedhor, që ndëshkoi shumë nga partitë e vogla, nuk i dha mundësi fitoreje as partisë me të cilën kandidoi Zogaj. Pas zgjedhjeve të qershorit Zogaj ka qenë një ndër zërat më kritikë të mënyrës së realizimit të zgjedhjeve dhe ka kërkuar realizimin e transparencës së plotë të procesit zgjedhor nëpërmjet hapjes së kutive të votimit dhe rinumërimit të votave duke mbështetur fuqishëm kauzën e opozitës së drejtuar nga Partia Socialiste. Ai është shoqëruar shpesh me kryetarin e PDK-së, Nard Ndok, dhe duket se qëndrimi i përbashkët i dy politikanëve ka bërë të mundur përfshirjen e Zogajt në strukturat drejtuese të PDK-së.
Reagimi
Në një intervistë dhënë gazetës “Albania” disa muaj më parë, i pyetur për mundësinë e bashkimit të tij me PDK-në, Zogaj është shprehur se asnjëherë nuk ka mbajtur teserë partie, por se me PDK-në ndan qëndrim të njëjtë përsa i përket transparencës së zgjedhjeve. “Me Nard Ndokën takohemi prej vitesh. Herën e fundit biseduam për rileximin që PDK-ja po u bën filmimeve të numërimit të votave në qarkun e Shkodrës. Mendoj se kjo parti ka zgjedhur një rrugë origjinale për të verifikuar dyshimet e saj në lidhje me trafikun dhe vjedhjen e votës. PDK-ja po vë në lëvizje edhe organet e Drejtësisë me manipulimet e rënda që ka zbuluar gjatë rileximit. Sërish mjedisi politik dhe organet e Drejtësisë do të vihen në provën e reagimit. Nëse heshtet edhe për vjedhjet me një dorë të votave apo për përdhunimin e përfaqësimit me stilolaps, siç them unë, atëherë lind pyetja: përse janë bërë filmimet? Më tej ju e dini se jemi në një varkë me zotin Ndoka, sikurse me zotin Ngjela dhe me zotin Shehi, përsa u përket shqetësimeve tona politike për sot dhe për nesër. Ne diskutojmë se çfarë duhet të ndërtojmë për t’i dhënë zë dhe përfaqësim elektoratit që mbështet idetë dhe sjelljen tonë. Por unë nuk jam anëtar i ndonjë partie. Sa i takon partitizmit, jam thjesht një themelues i PD-së që herë thirrem e herë dal tepër në atë parti. Tesera s’kam pasur kurrë”, - është shprehur Zogaj.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›